Shtyhet hapja e qendrave për emigrantë në Shqipëri
- - Shtyhet hapja e Qendrave për emigrantë në portin shqiptar Shëngjin dhe ish bazën ushtarake Gjadër. Të dy objektet në rrethin e Lezhës duhej të hapeshin sot.
- Post By Fitore Curri
- 18:48, 20 maj, 2024
Tiranë, 20 maj 2024 (MIA) - Shtyhet hapja e Qendrave për emigrantë në portin shqiptar Shëngjin dhe ish bazën ushtarake Gjadër. Të dy objektet në rrethin e Lezhës duhej të hapeshin sot.
Sandër Marashi, drejtor i portit në Shëngjin, deklaroi shkurt se shkak për këtë është që në port "vazhdon ndërtimi i qendrës së pranimit".
Sipas mediave shqiptare, javën e kaluar, agjencia e lajmeve ANSA raportoi se do të shtyhet hapja e qendrave për shkak të punës në ndërtim, që aktualisht po kryejnë kompanitë italiane.
"Inxhinierët e ushtrisë italiane, që punojnë në Shëngjin dhe Gjadër sipas marrëveshjes mes Romës dhe Tiranës, ende nuk kanë përfunduar ndërtimin e qendrave pritëse", raportoi agjencia italiane.
Mediat bëjnë të ditur se në fillim të majit, vetëm një numër i vogël i blloqeve të parafabrikuara u instaluan në qendrën në portin e Shëngjinit.
"Kur të përfundojë, qendra do të jetë 4.000 metra katrorë e rrethuar me mure metalike të gjata prej katër metrash, kanë thënë zyrtarët lokalë. Pas regjistrimit, migrantët do të dërgohen në Gjadër, ku gjendet një ish-bazë ushtarake, rreth 20 kilometra larg nga porti. Në këtë vend, migrantët do të qëndrojnë derisa të trajtohen aplikimet e tyre për azil. Dy qendrat, që do të financohen dhe menaxhohen nga Italia, mund të akomodojnë deri në 3.000 migrantë që do të vijnë nga Italia përmes detit", shtojnë mediat.
Vlerësohet se gjatë pesë vjetëve, këto shpenzime do të arrijnë nga 650 milionë euro deri në 750 milionë euro.
Marrëveshjen, që më 6 nëntor të vitit të kaluar, në Romë e nënshkruan kryeministat e të dyja vendeve, Xhorxha Meloni dhe Edi Rama, ka afat prej 5 vjet me mundësi për vazhdimin e saj. Senati italian të njëjtin e ratifikoi më 15 shkurt, përderisa parlamenti shqiptar shtatë ditë më vonë, vetëm me votat e Partisë Socialiste në pushtet. fc/