• e enjte, 04 dhjetor 2025

Shtabi i krizës në Berovë i bën thirrje popullatës që të bashkohet vullnetarisht në shuarjen e zjarrit në malin Goten

Shtabi i krizës në Berovë i bën thirrje popullatës që të bashkohet vullnetarisht në shuarjen e zjarrit në malin Goten

Berovë, 26 korrik 2025 (MIA) - Kryetari i Komunës së Berovës, Zvonko Pekevski, mbrëmë pas mbledhjes së shtabit të krizës i bëri thirrje popullatës lokale dhe kompanive me përgjegjësi shoqërore të përfshihen në shuarjen e zjarrit në malin Goten.

Ai në deklaratën për MIA-n tha se rreth tre ditë kanë qenë në mal me zjarrfikësit dhe punonjësit e NP "Pyjet kombëtare" të cilët tashmë janë të pafuqishëm nga beteja me flakët.

Ai tha se nga mbrëmë organizohen vullnetarë nga Komuna e Berovës, si dhe kompani me përgjegjësi shoqërore që sot të nisen drejt malit Goten me qëllim që zjarri të mos përhapet në fshatrat Vlladimirovë, Maçevë dhe Rusinovë.

Në apelin e Komunës së Berovës i cili u publikua mbrëmë, mes tjerash thuhet se për shkak të seriozitetit të zjarrit që ka përfshirë zonën e komunës, konform konkluzave të mbledhjes së sontme të Shtabit të krizës, “u bëhet apel të gjithë qytetarëve të Komunës së Berovës që kanë në mundësi t'i bashkohen vullnetarisht aksionit rreth shuarjes së zjarrit”.

"Ju bëjmë thirrje që më 26.07.2025 (e shtunë), në orën 5.00 të mblidheni masivisht para ndërtesës së Ndërmarrjes pyjore të Berovës dhe t'i bashkoheni aksionit për parandalimin e zjarreve. Me vete merrni: një shatë ose grabujë, ujë të pijshëm dhe ushqim gjatë ditës. Solidariteti, angazhimi dhe guximi juaj, në këto momente të vështira janë me rëndësi të paçmuar për mbrojtjen e pyjeve, mjedisit dhe sigurinë e të gjithë neve", thuhet në komunikatën e Shtabit të krizës së Komunës së Berovës.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR