Shtëpia e Bardhë: Trampi informoi Zelenskin dhe udhëheqësit e NATO-s për takimin në Alaskë
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, informoi presidentin ukrainas Volodimir Zelenski dhe udhëheqësit e NATO-s rreth samitit të tij me presidentin rus Vladimir Putin, njoftuan agjencitë botërore.
- Post By Sara Ademi
- 10:43, 16 gusht, 2025
Uashington, 16 gusht 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, informoi presidentin ukrainas Volodimir Zelenski dhe udhëheqësit e NATO-s rreth samitit të tij me presidentin rus Vladimir Putin, njoftuan agjencitë botërore.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se biseda me Zelenskin ishte e gjatë, e ndjekur nga një telefonatë me udhëheqësit e NATO-s, por nuk dha detaje mbi bisedimet.
Trampi dhe Putini e përfunduan takimin e tyre në Alaskë pa bërë asnjë deklaratë në lidhje me armëpushimin e mundshëm në luftën në Ukrainë, dhe nuk u njoftuan rezultate konkrete në këtë drejtim.
Tramp foli për marrëveshjet e arritura me Putinin për çështje të rëndësishme, por nuk dha detaje. Putin përmendi gjithashtu marrëveshjet që ai beson se mund të jenë një pikënisje për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Tramp, i cili është kthyer tashmë në Uashington nga Alaska, tha pas takimit të tij me Putinin donte të konsultohej me evropianët dhe Zelenskin. "Në fund të fundit, vendimi është i tyre", shtoi ai.
Përpara samitit Putin-Tramp, udhëheqësit evropianë të mërkurën bënë thirrje për një linjë të përbashkët veprimi me Trampin ndaj Rusisë.
Kancelari gjerman Fridrih Merc e bëri të qartë në një konferencë të përbashkët për shtyp me Zelenskin: "Interesat themelore të sigurisë evropiane dhe ukrainase duhet të mbrohen në Alaska".
Përveç Mercit, Zelenskit dhe Trampit, në videokonferencën e së mërkurës morën pjesë edhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen, kryetari i Këshillit Evropian Antonio Koshta dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rute, si dhe presidenti francez Emanuel Makron, kryeministri britanik Kir Starmer dhe kryeministrja italiane Xhorxha Meloni, kujton DPA. sa/
foto: MIA