SHPPP: Vendoset mekanizëm për kontroll të rreptë të të gjitha shpenzimeve zyrtare
- Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta sot informoi se gjashtë muajt e fundit janë ndërmarrë aktivitete për tejkalimin e situatës së gjetur nga udhëheqësia e mëparshme.
- Post By Sara Ademi
- 12:41, 2 janar, 2025
Shkup, 2 janar 2025 (MIA) - Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta sot informoi se gjashtë muajt e fundit janë ndërmarrë aktivitete për tejkalimin e situatës së gjetur nga udhëheqësia e mëparshme.
Siç thuhet në kumtesë, është futur një mekanizëm për kontroll të rreptë të të gjitha shpenzimeve zyrtare për të reduktuar udhëtimet joproduktive në drejtim të shpenzimeve të përgjegjshme dhe planifikimit të mjeteve publike.
"Për një kohë të shkurtër, SHPPP i dha fund punës së pakontrolluar, optimizoi kostot e blerjes së pijeve dhe mezeve për nevojat e organeve shtetërore, rriti çmimet e shërbimeve të hotelierisë në objektet qeveritare, gjë që i bëri të kaluara privilegjet për zyrtarët e zgjedhur dhe në fazën përfundimtare është edhe procedura për t'i dhënë fund praktikave të këqia për keqpërdorimin e automjeteve zyrtare, përmes përgatitjes së regjistrit të posaçëm dhe unifikimit të automjeteve zyrtare", thonë nga SHPPP.
Sipas drejtorit të SHPPP, Ivica Tomovski, janë gjetur objekte të shpërfillura në pronësi të shtetit dhe po ndërmerren veprime për tejkalimin e gjendjes.
Siç informon SHPPP, është bërë aneks në projektin për rindërtimin e Pallatit të KAÇKM-së, po ndërmerren masa për rivitalizimin e kompleksit “Fshati maqedonas”, po ashtu është duke u rindërtuar edhe Klubi i deputetëve.
"SHPPP aktualisht është duke analizuar kushtet për ndërtimin e fazës së dytë të teleferikut, nga kisha "Shën Jovani" në Kapishtec deri në Vodno të Mesme, si dhe për zgjerimin e objekteve të Fakultetit të Edukatës Fizike (FEF) dhe Fakultetit të Teknologjive Informatike (FINKI) në kuadër të kampusit të Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" në Shkup, objekte që janë në fazën e karabinës për gjashtë vjet", thonë nga SHPPP. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s