• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Shpallet thirrje për subvencionim të punësimit përmes IPA

Shpallet thirrje për subvencionim të punësimit përmes IPA

Shkup, 19 korrik 2023 (MIA) - Agjencia për punësim e Republikës së Maqedonisë së Veriut u bën thirrje të gjithë personave të papunë të paraqiten për pjesëmarrje në masën për subvencionim të punësimit.

Siç kumtojnë nga APRMV, thirrja zbatohet në kuadër të projektit IPA "Aktivizimi i grupeve të cenueshme në tregun e punës" financuar nga Bashkimi Evropian, bazuar në Planin Operativ për programet aktive dhe masat për punësimin dhe shërbimet në tregun e punës për vitin 2023 të miratuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për masën 2.1 Subvencionimi i punësimit - IPA.

Sipas koordinatores së projektit, Natasha Zdravkovska, për masën mund të aplikojnë të gjithë personat e papunë të regjistruar që janë në njërën nga kategoritë e cenueshme.

Thirrja për këtë masë zgjat deri në fund të korrikut.

Në anën tjetër, shton ajo, çdo punëdhënës që punëson të papunë nga këto grupe do të përfitojë mbështetje financiare për pagesën e pagës bruto, në shumën mujore prej 19.000 denarë për një periudhë gjashtëmujore.

"Punëdhënësi mund t'i paguajë punëmarrësit një pagë bruto më të madhe se shuma e subvencionuar. Ky punëdhënës ka detyrimin ta mbajë të punësuar personin pas përfundimit të subvencionit për një periudhë shtesë prej 3 muajsh. Kushtet, të drejtat dhe obligimet do të rregullohen më konkretisht me lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Agjencisë për Punësim, punëdhënësve dhe kandidatëve", sqaron Zdravkovska.

E drejta për të marrë pjesë në këtë thirrje, thekson ajo, përcaktohet në bazë të kushteve dhe kritereve që përcaktohen për çdo program individual, pra masës së punësimit dhe në bazë të parimeve bazë që duhen respektuar gjatë zbatimit të programeve dhe masave të punësimit, si dhe shërbimet në tregun e punës, pra: parimi i diversitetit dhe gjithëpërfshirjes për të gjitha kategoritë sociale në sektorin privat sipas përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve etnikë, gjinorë, fetarë, racor apo çdo kategori tjetër të cenueshme të qytetarëve në përputhje me standardet dhe praktikat e Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Gjithashtu, me këtë masë inkurajohet zhvillimi i balancuar rajonal në përputhje me të dhënat e Byrosë për zhvillim rajonal dhe nivelin e zhvillimit të rajoneve planore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Punësim të RMV-së. sa/

Foto. Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR