• e hënë, 23 dhjetor 2024

Shpëtohen turistët gjermanë të bllokuar në Alpet shqiptare

Shpëtohen turistët gjermanë të bllokuar në Alpet shqiptare

Tiranë, 11 qershor 2024 (MIA) - Janë shpëtuar katër turistë gjermanë të bllokuar në zonën turistike Tet të Alpeve shqiptare në veri të Shqipërisë, bëri të ditur në rrjetet sociale ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, njëri prej tyre nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, për transportin e të cilit deri në Tiranë, është angazhuar helikopter i emergjencës civile EC 135.

Peleshi ka shkruar se shpëtimi i tyre dje ka ndodhur falë ndërhyrjes së forcave të armatosura shqiptare dhe helikopterit që ka nxjerrë turistët nga aty.

Ai u bëri thirrje turistëve dhe adhuruesve të natyrës të shmangin zonat dhe terrenet e panjohura dhe të vështira.

"Forcat e armatosura janë dhe do të vazhdojnë të jenë të gatshme për çdo nevojë që ka komuniteti, por u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që duan të eksplorojnë bukuritë e vendit, veçanërisht turistëve të jenë të kujdesshëm gjatë stinës së verës, të shmangin situata të tilla, zona me terren të panjohur dhe të vështirë", ka apeluar Peleshi duke publikuar një video të aksionit për shpëtimin e turistëve. 

Foto: printskrin-MM

QËNDRONI TË LIDHUR