• e mërkurë, 18 dhjetor 2024

Shoqata e Gjykatësve: Vendosja në listën e zezë të SHBA-së për çdo gjykatës është goditje mbi nderin dhe reputacion, kërkojmë zgjidhje të shpejtë të rastit

Shoqata e Gjykatësve: Vendosja në listën e zezë të SHBA-së për çdo gjykatës është goditje mbi nderin dhe reputacion, kërkojmë zgjidhje të shpejtë të rastit

Shkup, 10 dhjetor 2024 (MIA) - Vendosja në listën e zezë të SHBA-së, për çdo gjykatës është një goditje serioze për nderin dhe reputacionin e funksionarit konkret të pushtetit gjyqësor, theksoi sot Shoqata e Gjykatësve të Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me emrat e fundit të cilët u publikuan në listën e zezë të SHBA-së mes të cilëve është edhe gjykatësi i Apelit, Enver Bexheti. 

"Duke pasur parasysh rëndësinë e sjelljes etike dhe integritetit të gjykatësve, i cili duhet të jetë i paprekshëm dhe në përputhje, para së gjithash me Kushtetutën dhe Ligjet e vendit tonë, por edhe në përputhje me Ligjet Ndërkombëtare dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si partnerë tanë strategjikë, Shoqata bënë thirrje për zgjidhje të shpejtë të rastit, para së gjithash për shkak të ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit në vend", thuhet në njoftimin e Shoqatës. 

 Departamenti i Shtetit të SHBA-së dje njoftoi se do të vendosë sanksione ndaj ish-nënkryetarit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubit dhe gjykatësit të Apelit, Ever Bexheti për shkak të përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm. 

 Sipas njoftimit, Grubi dhe Bexheti kanë pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore lidhur me dënimin penal të Sasho Mijallkovit, ish-drejtor i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK). Mijallkov ishte sanksionuar në vitin 2022 për korrupsion të konsiderueshëm sipas Seksionit 7031 (v) nga Ligji për Operacione të Brendshme dhe Programe të lidhura të Departamentit të Shtetit. Përveç sanksioneve për Grubin dhe Bexhetin, ndalesë për hyrje në SHBA janë vendosur edhe për anëtarët e familjeve të tyre. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR