Shlapka: Polonia dëshiron të përshpejtojë zgjerimin e BE-së drejt Lindjes dhe drejt Ballkanit Perëndimor
- Zgjerimi i Bashkimit Evropian është i një rëndësie kyçe dhe presidenca polake dëshiron ta përshpejtojë këtë proces edhe në drejtim të Lindjes, drejt Ukrainës dhe Moldavisë dhe drejt Ballkanit Perëndimor, porositi ministri polak për BE-në, Adam Shlapka nga mbledhja e sotme e Këshillit për punë të përgjithshme të bllokut në Bruksel.
Bruksel, 28 janar 2025 (MIA) - Zgjerimi i Bashkimit Evropian është i një rëndësie kyçe dhe presidenca polake dëshiron ta përshpejtojë këtë proces edhe në drejtim të Lindjes, drejt Ukrainës dhe Moldavisë dhe drejt Ballkanit Perëndimor, porositi ministri polak për BE-në, Adam Shlapka nga mbledhja e sotme e Këshillit për punë të përgjithshme të bllokut në Bruksel.
"Presidenca polake vjen në kohë të trazuara. Rreziqet janë reale, ndaj përgjegjësitë tona janë serioze. Me ministrat e tjerë në këtë Këshill të BE-së, ne do të punojmë fuqishëm për zgjerimin dhe marrëdhëniet BE-Britania e Madhe dhe do të fillojmë bisedimet për buxhetin shumëvjeçar të BE-së," shtoi Shlapka.
Në takim, Shłapka i prezantoi prioritetet e Presidencës polake në fushat nën kompetencën e Këshillit për punë të përgjithshme, pas së cilës ministrat ose sekretarët shtetërorë për çështjet evropiane të shteteve anëtare të BE-së shkëmbyen mendime për gjendjen e sundimit të ligjit në Hungari, Portugali, Rumani dhe Slloveni.
Një prioritet shembullor i presidencës polake është forcimi i sigurisë evropiane në shtatë dimensione - të jashtëm, të brendshëm, kibernetik, ekonomik, energjetik, ushqimor dhe shëndetësor.
Në këtë kontekst, Presidenca polake ka vendosur si prioritete të saj mbrojtjen dhe sigurinë, mbrojtjen e njerëzve dhe kufijve, kundërshtimin e ndërhyrjeve të huaja dhe përhapjen e dezinformatave, garantimin e sigurisë dhe lirisë së biznesit, zbatimin e tranzicionit energjetik, ndërtimin e një bujqësie konkurruese dhe adaptuese dhe sigurimin e sigurisë shëndetësore.
Në pjesën e kompetencave të Këshillit për punë të përgjithshme, puna e Presidencës polake do të fokusohet në mbrojtjen e sundimit të ligjit, zgjerimin e BE-së dhe reformat e brendshme, kundërshtimin e manipulimeve dhe ndërhyrjes së huaj, përforcimin e rezistencës demokratike të BE-së dhe fqinjësisë së saj, zhvillimin e bashkëpunimit me Britaninë e Madhe dhe vendosjen e një bazë për negociatat për Kornizën e re financiare shumëvjeçare për periudhën 2028-2034.
Në kuadër të dialogut për sundimin e ligjit, anëtarët e Këshillit patën një shkëmbim të gjerë mendimesh për situatën në këtë fushë në Hungari, Portugali, Rumani dhe Slloveni, gjatë të cilit përfaqësues të Komisionit Evropian prezantuan gjetjet kryesore të Raportit të tyre për sundimin e ligjit për vitin 2024.
Pas kësaj, përfaqësuesit e secilit prej katër vendeve prezantuan pikëpamjet e tyre për sundimin e ligjit, të ndjekur nga një sërë komentesh dhe pyetjesh nga delegacionet e anëtarëve të tjerë, të cilët ndanë përvojat dhe praktikat më të mira për çështjet e lartpërmendura.
Dialogu i radhës për sundimin e ligjit është planifikuar të mbahet në mbledhjen e Këshillit për punë të përgjithshme më 27 maj të këtij viti, me fokus në situatat në Sllovaki, Finlandë, Suedi dhe Belgjikë.
Krahas kësaj, përfaqësuesit francezë në takim ngritën çështjen e integritetit të proceseve zgjedhore në Evropë në kontekstin e kërcënimit në rritje të ndërhyrjeve të huaja, ndërsa çekët paraqitën një non-paper mbi nevojën për "përparimin e mëtejshëm të integrimit gradual të Ukrainës dhe Moldavisë në tregun e përbashkët të BE-së". ls/
Foto: FB/ Arkivi i MIA-s