• e diel, 03 nëntor 2024

Shkolla për liderë të rinj: Të rinjtë janë forca që ofron zgjidhje inovatore për problemet komplekse botërore

Shkolla për liderë të rinj: Të rinjtë janë forca që ofron zgjidhje inovatore për problemet komplekse botërore

Ohër, 11 tetor 2024 (MIA) - Të rinjtë janë forca me potencial të madh për ndryshime pozitive. Ata janë forca që inicion zgjidhje inovatore për disa nga problemet më komplekse të botës, nga ndryshimet klimatike përmes pabarazisë te tensionet gjeopolitike, të gjitha këto përmes diplomacisë, dialogut ndërkulturor dhe bashkëpunimit. Aftësia e tyre për të dëgjuar dhe mësuar nga shembujt tregon se paqja nuk është një ideal abstrakt, por diçka që mund të arrihet në mënyrë aktive përmes respektit të ndërsjellë dhe qëllimeve të përbashkëta. Kjo mes tjerash u theksua nga pjesëmarrësit në Shkollën e 15-të për liderë të rinj të titulluar “Lidershipi për paqe” të organizuar nga Zyra e ish presidentit Gjorge Ivanov që mbahet në Ohër.

"Përvojat e 15 shkollave të fundit për lidership tregojnë se të rinjtë janë në kërkim të një lidershipi gjithëpërfshirës dhe empatik. Në botën e globalizimit, liderët duhet të jenë në gjendje të përqafojnë diversitetin dhe të kuptojnë perspektivat e grupeve të ndryshme. Empatia dhe aftësia për të kuptuar dhe dëgjuar nevojat e të gjithë qytetarëve, pavarësisht dallimeve të tyre etnike, kulturore apo sociale është një aspekt kyç i lidershipit modern. Të rinjtë gjithnjë e më shumë po përcaktohen për lidershipin transformues, është lidership kur liderët duhet të jenë vizionarë që do të frymëzojë të tjerët që të kapen për ndryshime", ka thënë Gjorgje Ivanov në fjalimin e tij para pjesëmarrësve.

Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, në video- fjalimin e tij drejtuar liderëve të rinj, theksoi se diplomacia kulturore në botën e sotme jo vetëm që promovon imazh pozitiv, por kontribuon edhe në përparimin e paqes, tolerancës dhe mirëkuptimit mes kombeve.

"Kultura është një instrument esencial për parandalimin e konflikteve dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Nëpërmjet saj mund të ndërtojmë lidhje të ndërsjella që nuk do të bazohen vetëm në baza ekonomike dhe politike, por edhe në vlera dhe të drejta të përbashkëta njerëzore. Pjesëmarrësit në këto shkolla fillimisht ndërtojnë miqësi, aftësi për lidership dhe përgatiten për sfidat me të cilat do të përballen në të ardhmen", ka thënë Mucunski.

Kryetari i Ohrit, Kiril Pecakov, me këtë rast, theksoi rolin e Ohrit si qendër e rëndësishme e paqes dhe dialogut, vendi ku u nënshkrua Marrëveshja kornizë e Ohrit si një moment i rëndësishëm në historinë e re që i dha fund një konflikti dhe hapi derën e stabilizimit të shtetit, por edhe të rajonit më gjerë.

Sipas raportit të Unionit ndërparlamentar në 193 parlamente nacionale të rinjtë përfaqësohen me vetëm 2.87 për qind. Në 33 parlamente kombëtare nuk ka asnjë deputet të vetëm deri në 30 vjeç. Në Maqedoni përfaqësimi i të rinjve në Kuvend është 2,5 për qind.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR