Shefi i diplomacisë shqiptare, Igli Hasani, për vizitë te Hashim Thaçi në Hagë
- Ministri shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Igli Hasani në Hagë e ka vizituar ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili po gjykohet për krime lufte, duke i premtuar se do të bëjnë gjithçka për një proces gjyqësor të hapur dhe transparent.
- Post By Qefsere Abduli
- 14:54, 17 prill, 2024
Tiranë, 17 prill 2024 (MIA) - Ministri shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Igli Hasani në Hagë e ka vizituar ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili po gjykohet për krime lufte, duke i premtuar se do të bëjnë gjithçka për një proces gjyqësor të hapur dhe transparent.
"Diplomacia shqiptare, si edhe deri tani, do të insistojë në zbatimin e standardeve për një proces gjyqësor të hapur dhe transparent, me respekt të plotë të të drejtave të njeriut sipas konventave ndërkombëtare. Populli shqiptar nuk i harron përpjekjet apo viktimat e bijve të tij, si dje në luftë ashtu edhe sot në paqe", ka shkruar Hasani në rrjetet sociale.
Ai shtoi se e ka informuar për zhvillimet e fundit në Shqipëri, por edhe ato në rajon, si dhe për përpjekjet e Shqipërisë për paqe, stabilitet dhe zhvillim.
"Ai është i vetëdijshëm se proceset gjyqësore janë një maratonë me ulje-ngritje. Ai që është i përgatitur psikologjikisht fiton garën. Zoti Thaçit ia përcolla urimet më të mira të drejtuesve më të lartë të qeverisë dhe të shtetit, të Kryeministrit Edi Rama dhe kolegëve të tjerë, si dhe sigurinë që, ashtu si më parë, mbështetja jonë nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë”, ka shkruar Hasani.
Vizita vjen një ditë pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për t'i hapur rrugën anëtarësimit të Kosovës. qa/
Foto: printskrin, Hasani FB