• e diel, 22 dhjetor 2024

SHBA-ja paralajmëron Iranin për pasoja serioze në rast të sulmeve të reja

SHBA-ja paralajmëron Iranin për pasoja serioze në rast të sulmeve të reja

Nju Jork, 29 tetor 2024 (MIA) – SHBA-ja mbrëmë në Këshillin e Sigurisë së KB-së ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me pasoja serioze nëse kryen sulme të reja ndaj Izraelit apo forcave amerikane në Lindjen e Mesme.

"Nuk duhet të kemi dilema që të mbrohemi. Për të qenë të qartë, SHBA nuk dëshiron përshkallëzim të mëtejshëm, por konsiderojmë se ky duhet të jetë fundi i shkëmbimit të drejtpërdrejtë të zjarrit midis Izraelit dhe Iranit", deklaroi ambasadorja e SHBA-së në KB, Linda Tomas-Grinfild.

Këshilli i Sigurisë së KB-së u tubua të shtunën pas sulmit të Izraelit ndaj disa fabrikave të raketave të Iranit i cili pasoi si përgjigje ndaj sulmit iranian ndaj Izraelit më 1 tetor, kur Teherani lëshoi ​​rreth 200 raketa balistike.

Ambasadori i Iranit në KB, Amir Sajed Iravani ka akuzuar Uashingtonin se është "bashkëpjesëmarrës" me Izraelin për shkak të ndihmës ushtarake që ofron. Irani do t'i përgjigjet këtij agresioni kur të vendosë, theksoi Iravani.

Ambasadori i Izraelit në KB, Dani Danon i bëri thirrje Këshillit të Sigurisë të vendosë sanksione ndaj infrastrukturës ushtarake dhe ekonomike të Iranit.

foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR