• e hënë, 23 dhjetor 2024

SHBA-ja për herë të parë e thekson inteligjencën artificiale si një rrezik për sistemin financiar

SHBA-ja për herë të parë e thekson inteligjencën artificiale si një rrezik për sistemin financiar

Uashington, 15 dhjetor 2023 (MIA) - Rregullatorët financiarë në SHBA për herë të parë e theksuan inteligjencën artificiale (IA) si rrezik për sistemin financiar.

Në raportin e tij të fundit vjetor, Këshilli i Mbikëqyrjes së Stabilitetit Financiar (FSOC) thekson se përdorimi në rritje i IA në shërbimet financiare është një "cënueshmëri" për t'u monitoruar.

Përderisa inteligjenca artificiale ofron premtimin për reduktimin e kostove, përmirësimin e efikasitetit, identifikimin e marrëdhënieve më komplekse dhe përmirësimin e performancës dhe saktësisë, ajo gjithashtu mund të "prezantojë rreziqe të caktuara, duke përfshirë rreziqet e sigurisë dhe besueshmërisë, siç janë rreziqet kibernetike dhe rreziqet për modelin", thekson FSOC në raportin vjetor.

FSOC, i cili u krijua pas krizës financiare të vitit 2008 për të identifikuar rreziqet e tepërta në sistemin financiar, paralajmëroi se zhvillimi i inteligjencës artificiale duhet të monitorohet për të siguruar që mekanizmat mbikëqyrës "i marrin parasysh rreziqet e reja" duke lehtësuar "efikasitetin dhe inovacionin". 

Autoritetet gjithashtu duhet të "thellojnë ekspertizën dhe kapacitetin" për të monitoruar situatën në terren, thuhet në raportin e FSOC.

Ministrja amerikane e Financave Xhenet Jelen, e cila kryeson me FSOC, tha se miratimi i intelegjencës artificiale mund të rritet pasi industria financiare përqafon teknologjitë e reja, ndërsa këshilli do të ketë një rol në monitorimin e "rreziqeve që paraqiten".

"Mbështetja e inovacioneve të përgjegjshme në këtë fushë mund të mundësojë që sistemi financiar të realizojë përfitime të tilla si rritja e efikasitetit, por ka edhe parime dhe rregulla për menaxhim me rrezikun që duhen zbatuar," tha Jelen. ls/

Foto: Skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR