• e premte, 22 nëntor 2024

SHBA-ja dhe BE-ja të shqetësuara pas vendimit të Parlamentit shqiptar rreth minimizimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e deputetes Xhaçka

SHBA-ja dhe BE-ja të shqetësuara pas vendimit të Parlamentit shqiptar rreth minimizimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e deputetes Xhaçka

Tiranë, 13 shtator 2024 (MIA) - Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë shprehin shqetësimin e tyre për vendimin e marrë dje nga Kuvendi, i cili nuk zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i lënë asaj në duar vlerësimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, siç bën të ditur ATSH, në një reagim për mediat, u shpreh se ajo që ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur.

"Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë (janar 2023). Na inkurajoi fakti që kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit", përfundon reagimin e saj Delegacioni i BE-së në Tiranë.

Më tej, ishte Ambasada e SHBA në Tiranë, që thekson se,"ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Europian lidhur me vendimin e Parlamentit të Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese".

Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së shkruan: "Siç vërejti kohët e fundit kryetarja e Parlamentit, marrja e hapave të nevojshme për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është përgjegjësi qendrore e Parlamentit dhe është gjithashtu jetike për ndarjen e pushteteve. Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë rregullat, ligjet, vendimet e gjykatave dhe kushtetutën – të gjitha këto janë aty për të siguruar që sistemi demokratik është i shëndetshëm dhe lulëzon".

Kuvendi votoi me 25 vota pro, 65 abstenime dhe 9 kundër, duke mos arritur shumicën e thjeshtë prej 71 votash, të nevojshme për të dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë votimit, 38 deputetë të pranishëm në sallë nuk votuan. Deputetja Xhaçka, megjithëse ishte e pranishme, nuk mori pjesë në votim.

QËNDRONI TË LIDHUR