• e hënë, 23 dhjetor 2024

SHBA vuri veto në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB-së për ndërprerje të luftës në Gaza

SHBA vuri veto në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB-së për ndërprerje të luftës në Gaza

Nju-Jork, 9 dhjetor 2023 (MIA) - SHBA vuri veto në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB-së me të cilën kërkohet ndërprerje urgjente e luftës ndërmjet Izraelit dhe lëvizjes palestineze Hamas në Gaza.

Trembëdhjetë anëtarë të Këshillit të Sigurimit mbështetën projekt-rezolutën e paraqitur nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), ndërsa Britania e Madhe abstenoi nga votimi. Votimi vjen pasi Sekretari i Përgjithshëm i KB-së Antonio Guteresh paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të mërkurën për kërcënimin global që vjen nga lufta dy mujore në Gaza.

"Cili është mesazhi që po u dërgojmë palestinezëve nëse nuk mund të bashkohemi pas thirrjes për ndalimin e përkohshëm të bombardimeve masive të Gazës?, tha zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Emirateve të Bashkuara Arabe në KB, Mohamed Abushahab.

Zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në KB Robert Vud theksoi se projekt-rezoluta është e shkëputur nga realiteti dhe "nuk do të ndryshojë asgjë në terren". “Prandaj, megjithëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës  mbështesin fuqimisht vendosjen e një paqeje të qëndrueshme në të cilën izraelitët dhe palestinezët mund të jetojnë në paqe dhe siguri, ne nuk i mbështesim thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm, shtoi diplomati amerikan.

"Kolegët tanë amerikanë kanë nënshkruar urdhrat e vdekjes para syve tanë për mijëra, nëse jo dhjetëra mijëra civilë të tjerë në Palestinë dhe Izrael, duke përfshirë gra dhe fëmijë, si dhe zyrtarë të KB-së që përpiqen t'i ndihmojnë ata. Historia do të tregojë vlerësimin e këtyre veprimeve nga Uashingtoni", tha Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në KB Dmitrij Poljanski.

SHBA dhe Izraeli kundërshtojnë një armëpushim sepse besojnë se nga kjo do të përfitojë vetëm Hamasi. Në vend të kësaj, Uashingtoni po bën thirrje për një pauzë në armiqësitë për të mbrojtur civilët dhe për të lejuar lirimin e pengjeve të marrë nga Hamasi. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR