• e hënë, 23 dhjetor 2024

Shaqiri: Me rëndësi kyçe është shfrytëzimi i potencialit të transformimit digjital, në dhe përmes arsimit

Shaqiri: Me rëndësi kyçe është shfrytëzimi i potencialit të transformimit digjital, në dhe përmes arsimit

Shkup, 29 shtator 2023 (MIA)- Shfrytëzimi i potencialit të transformimit digjital në dhe përmes arsimit është thelbësor në botën e bashkëkohor. Prandaj kjo është arsyeja pse ne si shtet jemi të fokusuar në transformimin digjital të kësaj fushe, duke integruar teknologjitë, mjetet dhe praktikat e reja për të përmirësuar dhe modernizuar procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Në këtë mënyrë, ne gjithashtu përmirësojmë aksesin në arsim, dhe në të njëjtën kohë rrisim rezultatet arsimore.

Këtë e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në panelin “Përdorimi i përfitimeve të transformimit dixhital në procesin arsimor”, në kuadër të sesionit të 26-të të konferencës ministrore të Arsimit të Këshillit të Evropës, e cila u mbajt me temë "Fuqia transformuese e arsimit: vlerat universale dhe rinovimi qytetar".

“Transformimi digjital mund të tejkalojë zbrazëtirat në aksesin në arsim. Kurset online, klasat virtuale dhe burimet digjitale i mundojnë individët të kenë akses në arsim cilësor, pavarësisht vendndodhjes së tyre gjeografike apo kufizimeve fizike”, theksoi Shaqiri.

Pandemia e KOVID-19, theksoi ministri, përshpejtoi adoptimin e mësimit nga distanca. Ndonëse nuk ishte zëvendësim i mësimit në klasë, mësimi nga distancë ofroi fleksibilitet dhe vazhdimësi në procesin arsimor edhe në kohë krize.

“Duke e pasur parasysh se shkollat në Maqedoninë e Veriut ishin të mbyllura për gati një vit, mësimi në distancë ishte mjet shumë i dobishëm për të tejkaluar mungesën e mësimdhënies. Platformat adaptive të mësimit përdorin të dhëna dhe algoritme për të përshtatur përmbajtjen arsimore sipas nevojave individuale të nxënësve, duke i ndihmuar ata të vazhdojnë të përparojnë. Së fundmi kemi filluar edhe krijimin e teksteve digjitale interaktive për arsimin fillor, të cilët i ndajmë falas përmes platformës së specializuar ueb”, shtoi Shaqiri.

Ministri para kolegëve të tij nga Evropa, rikujtoi se përmes disa projekteve të realizuara në shkollat e Maqedonisë së Veriut, është parë se mjetet digjitale shpien drejt rritjes së angazhimit të nxënësve.

Gjithashtu në mënyrë plotësuese, mjetet digjitale, siç u shpreh Shaqiri gjatë fjalës së tij, mund të çojnë edhe deri te efikasiteti dhe automatizimi më i mirë i proceseve administrative në institucionet arsimore.

“Maqedonia e Veriut e përdor sistemin EMIS dhe E-ditarin që nga viti 2010 dhe së fundmi digjitalizoi plotësisht edhe procesin e regjistrimit të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme. Njëkohësisht, këto sisteme thjeshtësojnë rolin administrativ të mësimdhënësve, ndërsa njëkohësisht janë shumë efektive edhe në zhvillimin e tyre profesional”, tha ai.

Njëkohësisht Shaqiri rikujtoi , edhe pse transformimi digjital ofron përfitime të shumta, ekzistojnë sfida që duhet të zgjidhen, si tejkalimi digjital, shqetësimet e privatësisë dhe nevoja për arsimim digjital të nxënësve dhe mësimdhënësve.

“Për të shfrytëzuar potencialin e transformimit digjital në dhe përmes arsimit, institucionet arsimore, politikëbërësit dhe edukatorët duhet të bashkëpunojnë që të zhvillojnë strategji për pranimin efektiv të teknologjisë. Kjo përfshin investimin në infrastrukturë, sigurimin e trajnimeve dhe mbështetjes për kuadrin mësimor, sigurimin e qasjes së barabartë në teknologji dhe vlerësimin e vazhdueshëm të ndikimit të iniciativave digjitale në rezultatet e nxënësve”, shtoi Shaqiri.

 

QËNDRONI TË LIDHUR