• e shtunë, 23 nëntor 2024

Shaqiri kërkon nga BZHA që programet mësimore për klasën e shtatë të jenë gati deri në fund të nëntorit

Shaqiri kërkon nga BZHA që programet mësimore për klasën e shtatë të jenë gati deri në fund të nëntorit

Shkup, 26 tetor 2023 (MIA) - Deri dje në Shkup, sipas informacioneve që kam, janë dorëzuar tekstet për klasën e gjashtë, njoftoi sot ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri. Ai kërkon nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit (BZHA) që më së voni deri në fund të muajit nëntor të dorëzojë në MASH programet mësimore për klasën e shtatë, në mënyrë që tekstet për vitin e ardhshëm shkollor të përgatiten dhe të shtypen në kohë.

Sipas Konceptit për Arsimin fillor, i cili zbatohet në faza që nga viti 2020, reforma në vitin 2024/2025 do të përfshijë nxënësit e klasës së shtatë të cilët do të kenë tekste të reja shkollore, para së cilës do t'i paraprijë përgatitja e programeve mësimore nga BZHA.

Me programet e reja mësimore këtë vit mësojnë nxënësit e klasës së tretë dhe të gjashtë. Në një deklaratë për media sot, Shaqiri tha se për dallim nga programet mësimore për klasën e tretë, ato për klasën e gjashtë u vonuan nga BZHA dhe për këtë arsye procesi i krijimit të teksteve, shtypja dhe shpërndarja e tyre nëpër shkolla u zgjat. Siç njoftoi më herët MASH, programet mësimore për klasën e tretë ishin gati vitin e kaluar në dhjetor, ndërsa për klasën e gjashtë në mars të këtij viti.

"Kur programet mbërrijnë në kohë, edhe tekstet vijnë në kohë. Tekstet për klasën e tretë janë fakt për këtë. Theksuam që për klasën e gjashtën do të ishin në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit, por për shkak të disa problemeve teknike nuk arritëm t'i dorëzojmë plotësisht në atë periudhë. Por më vjen mirë që dorëzimi ka mbaruar. Për tekste të caktuara për klasën e gjashtë është dashur të punohet shumë për redaktimin grafik dhe teknik. Për një tekst shkollor, për shembull, në fund të dorëzimit, autorët kërkuan që të bëhej një korrigjim për një pjesë të tekstit. Por për vitin e ardhshëm shkollor, kur do të kemi programe mësimore vetëm për një klasë, i kërkoj BZHA-së që të dorëzojë programet më së voni deri në fund të nëntorit, që të arrijmë me kohë, si për klasën e tretë", tha Shaqiri pas hapjes së Samitit Sportiv 2023.

Lidhur me tekstin e Historisë dhe Shoqërisë për klasën e pestë, i cili u tërhoq nga mësimi në maj për shkak të gabimeve në përmbajtje, ministri tha se është formuar një ekip i ri autorësh, por gjithashtu ka treguar se dorëshkrimi për Historinë për klasën e gjashtë është në fazën përfundimtare. Problemi për ta është mungesa e recensentëve.

"Ministria e Arsimit dhe Shkencës disa herë ka kërkuar nga fakultetet që të sigurojnë komision recensues dhe kryetar që edhe ato tekste të jenë gati. Është një faktor teknik – regjistrimi i recensentëve. Ne komunikojmë çdo ditë me universitetet që profesorët t'i bashkohen ekipeve të vlerësimit. Mendoj se së shpejti Shërbimi Pedagogjik do të informojë dhe jam i sigurt se do të ketë recensues për ato tekste dhe do të kompletohen", ka shtuar Shaqiri. sa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR