• e diel, 22 dhjetor 2024

Shaqiri: BDI ka qenë gjithmonë për veting të të gjithë zyrtarëve

Shaqiri: BDI ka qenë gjithmonë për veting të të gjithë zyrtarëve

Shkup, 21 qershor 2023 (MIA) - Ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe zyrtar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim, Jeton Shaqiri ka theksuar se BDI është parti politike, e cila gjithmonë ka qenë për veting të të gjithë zyrtarëve. Ai i është përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me shpalljen e djeshme të kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, si person i padëshiruar për hyrje në SHBA.

"Kjo pyetje nuk është nga sfera e arsimit. BDI si parti politike gjithmonë ka qenë për veting dhe BDI kërkon veting për të gjithë zyrtarët që vijnë nga niveli qendror dhe lokal", tha Shaqiri para fillimit të debatit për promovimin e Analizës: Edukimi politik në Maqedoninë e Veriut, organizuar nga Fondacioni për Demokraci të Vestminster (VFD) dhe Qendra Presidenciale për Edukimin Politik QPEP.

Shaqiri ka bërë të ditur se do të ketë qëndrim zyrtar nga partia dhe ka udhëzuar gazetarët që të kontaktojnë partinë për çështje politike.

Departamenti i Shtetit e ka shpallur dje të papranueshëm për hyrje në SHBA kryetarin e komunës së Strugës, Ramiz Merko, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të theksuar, citohet në deklaratën me shkrim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Methju Miler.

"Gjatë mandatit të tij si kryetar komune, Merko ka keqpërdorur fonde dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe në procese të tjera publike, duke dëmtuar kështu besimin e publikut në institucionet dhe përfaqësuesit demokratikë. Veprimi i sotëm dërgon një mesazh se Shtetet e Bashkuara  të Amerikës qëndrojnë së bashku me Maqedoninë e Veriut për të forcuar stabilitetin duke forcuar institucionet demokratike dhe duke adresuar dobësitë në sundimin e ligjit", thuhet në kumtesë. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR