Shërbimi gjerman i inteligjencës e klasifikon "Alternativën për Gjermaninë" si organizatë ekstremiste
- - Shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë e klasifikoi partinë e ekstremit të djathtë "Alternativa për Gjermaninë" (AfD) si organizatë ekstremiste që paraqet kërcënim për demokracinë. Me këtë vendim, i shpallur sot, shërbimi i inteligjencës merr të drejtën për të ndjekur më intensivisht partinë, e cila ishte e dyta në zgjedhjet federale në shkurt.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:53, 2 maj, 2025
Berlin, 2 maj 2025 (MIA) - Shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë e klasifikoi partinë e ekstremit të djathtë "Alternativa për Gjermaninë" (AfD) si organizatë ekstremiste që paraqet kërcënim për demokracinë. Me këtë vendim, i shpallur sot, shërbimi i inteligjencës merr të drejtën për të ndjekur më intensivisht partinë, e cila ishte e dyta në zgjedhjet federale në shkurt.
“Koncepti i popullit, i bazuar në përkatësi dhe prejardhje etnike, që dominon në këtë parti, nuk përputhet me rendin demokratik të lirë. Ky koncept ka për qëllim të përjashtojë grupe të caktuara të popullsisë nga pjesëmarrja në shoqëri, që të përjashtohen nga ajo në mënyrën që ua mohon qëndrueshmërinë dhe i vendos në pozitë të nënshtruar”, thuhet në arsyetimin e inteligjencës gjermane. AfD-ja nuk i pranon qytetarët gjermanë me prejardhje emigrante, gjegjësisht myslimanët, për përfaqësues të barabartë të popullit gjerman, thuhet në vlerësim. Ky qëndrim çon në “fyerje dhe nxitje” ndaj individëve dhe grupeve të caktuara, përmes "frikës irracionale dhe armiqësisë ndaj tyre".
Sipas ministres së punëve të brendshme, Nansi Fazer, AfD “ka dëshmuar se udhëheq një fushatë kundër rendit demokratik të lirë.“AfD përfaqëson një koncept etnik që diskriminon grupe të tëra të popullsisë dhe i rrezikon qytetarët me deklarata që i paraqesin emigrantët si qytetarë të dorës së dytë,” deklaroi Fezer. Ajo shtoi se qëndrimi i partisë ndaj grupeve etnike është i qartë përmes “deklaratave raciste, veçanërisht kundër emigrantëve dhe myslimanëve.”
Vendimi është marrë disa ditë para marrjes së detyrës nga kancelari i sapozgjedhur Fridrih Merc nga Unioni Kristian-Demokrat (CDU), në kushte të debateve të ashpra për mënyrën se si duhet të veprohet me AfD në parlamentin e ri. Sipas analistëve, ky vendim mund të rrisë mbështetjen për AfD-në dhe për narrativet e saj, të cilat refuzohen nga partitë tradicionale. Disa sondazhe të fundit tregojnë se AfD është në vend të parë.
Disa fraksione të AfD-së, si krahu i të rinjve, tashmë ishin shpallur si ekstremiste, por partia në tërësi deri tani ishte klasifikuar vetëm si “potencialisht ekstremiste” – vendim i vitit 2021. Statusi i ri u lejon autoriteteve që më lehtësisht të përdorin metoda të fshehta të mbikëqyrjes, si rekrutimi i informatorëve apo përgjimi i komunikimeve. Tërheqja e anëtarëve të rinj për AfD-në mundë të bëhet më e vështirë, pasi ata do të përballen me kufizime për punësim në administratën shtetërore. qa/
Foto: arkivi