• e enjte, 04 dhjetor 2025

Shënohet 3 Dhjetori – Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara

Shënohet 3 Dhjetori – Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara

Shkup, 3 dhjetor 2025 (MIA)- Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në Qeveri mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, së bashku me zëvendëskryeministrin e Qeverisë për sistemin politik, Lupço Dimovski, ministrin për politikë sociale, demografi dhe rini, Fatmir Limani, si dhe Armen Grigorjan, ushtrues detyre koordinator i përhershëm i OKB-së.

“Së bashku me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, dhe në mënyrë aktive edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, po punojmë në vendosjen e një sistemi të ndërhyrjes së hershme të orientuar drejt familjes. Vitet e para të jetës janë vendimtare për zhvillimin e çdo fëmije. Sistemi shëndetësor duhet të jetë i aftë të identifikojë çdo vështirësi të hershme në zhvillim, prandaj po trajnohen ekipe në institucionet publike shëndetësore në Shkup, të cilat tashmë ofrojnë shërbime të orientuara drejt familjes. Paralelisht, Ministria po punon në zhvillimin e një sistemi universal të skriningut për të gjithë fëmijët deri në moshën gjashtëvjeçare, me ç’rast çdo fëmijë do të ketë qasje në vlerësim të hershëm, pavarësisht se ku jeton,” theksoi ministri Aliu.

Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Ministrinë e Politikës Sociale dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, po punon për nisjen e një projekti të përbashkët pilot për vendosjen e një sistemi të gjithanshëm për vlerësimin e personave me aftësi të kufizuara. Ky është hapi i parë drejt krijimit të një regjistri unik dhe përmirësimit të kornizës ligjore për vlerësimin dhe sigurimin e të drejtës për kompensim për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër.

Foto: MSH

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR