• e premte, 05 dhjetor 2025

Shënohet 122 vjetori i vdekjes së Dellçevit: Ta ndjekim botëkuptimin e Goces që ndërton ura, jo mure, që promovon paqen mes popujve, jo luftëra

Shënohet 122 vjetori i vdekjes së Dellçevit: Ta ndjekim botëkuptimin e Goces që ndërton ura, jo mure, që promovon paqen mes popujve, jo luftëra

Shkup, 4 maj 2025 (MIA) - Me një akt përkujtimi nga kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase - Kryepeshkopata e Ohrit, z.z Stefani bashkë me priftërinjtë nga Dioqeza e Shkupit sot në kishën "Shën Spasi" filloi kremtimi i 122-vjetorit të vdekjes së revolucionarit maqedonas Goce Dellçev.

Lule vendosën presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, delegacion qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, delegacion parlamentar, përfaqësues nga trupi diplomatik, partitë politike, shoqata qytetare dhe admirues të tjerë të veprës së Dellçevit.

Para ceremonisë së vendosjes së luleve u intonua himni maqedonas.

”Botëkuptimi i Goces është botëkuptimi i një personaliteti që ndërton ura, jo mure, botëkuptim që promovon paqen mes popujve, jo luftëra”, tha z.z Stefani.

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova tha se Dellçevi ishte dhe do të jetë pjesë e jona, e historisë, të tashmes dhe të ardhmes sonë. 

“Me respekt të thellë, me rastin e 122-vjetorit të vdekjes së të madhit Goce Dellçev, vendosa lule të freskëta në shtëpinë e tij të përjetshme në oborrin e kishës ‘Shën Spas’. Dita e vdekjes së figurës më të shquar dhe më të ndritur të kauzës kombëtare revolucionare maqedonase, themeluesit të republikanizmit maqedonas, apostullit të VMRO-së, mësuesit Goce Delçev, na kujton sakrificën që bënë paraardhësit tanë që populli maqedonas të jetonte në vendin e vet në mënyrë që të mund të konkurronte kulturarisht me popujt e tjerë. Ai nuk pushon këtu rastësisht, në oborrin e kishës së bukur ‘Shën Spas’, në tokën maqedonase dhe nën qiellin maqedonas, por sipas amanetit të tij për t'u varrosur në shtetin e pavarur maqedonas. Goce Dellçevi ishte dhe do të jetë pjesë e jona, e historisë sonë, të tashmes dhe të ardhmes”, shkruan presidentja.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se lufta e Goce Dellçevit për Maqedoninë, humanizmi dhe vepra e tij janë të përjetshme dhe ashtu do të mbeten për gjeneratat që vijnë.

"Dita e sotme na kujton për titanin që ka pasur populli maqedonas, i cili ka pasur rëndësi jo vetëm lokale, por do të thosha rajonale dhe më gjerë. Lufta e tij për Maqedoninë, humanizmi dhe vepra e tij janë të përjetshme dhe ashtu do të mbeten për gjeneratat që vijnë. Kjo gjeneratë politikanësh në Qeverinë e Maqedonisë ka nderin ta përcjellë kujtimin për veprën e tij te gjeneratat që vijnë, por njëkohësisht edhe ta ruajë dhe ta kultivojë në mënyrë të denjë. Kur them ta ruajë dhe ta kultivojë, mendoj ta përcjellë të vërtetën – atë të vërtetë që ka ndodhur realisht, dhe jo të pavërtetën që, për fat të keq, dikush përpiqet ta shtrembërojë në kujtesën kolektive të popullit maqedonas", ka thënë Mickoski.

Është interesante se si sot, më shumë se një shekull më vonë, idetë, mesazhet dhe vlerat e revolucionarit tonë më të madh, Goce Dellçevit janë ende të gjalla dhe aktuale, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe i cili vendosi lule në kishën "Shën Spas" ku u shënua 122-vjetori i vdekjes së Dellçevit, theksoi se si shoqëri kemi ende shumë punë para vetes.

"Disa nga vizionet e revolucionarit maqedonas sot tingëllojnë edhe më aktuale se sa në kohën e tij. Ky është një sinjal i qartë se si shoqëri kemi ende shumë punë përpara se duhet t’i implementojmë të gjitha porositë e tij nga vizioni për një Maqedoni të lirë dhe të pavarur", theksoi Filipçe.

Ai mes tjerash bëri thirrje që në kohën e transformimit teknologjik global, dominimit të inteligjencës artificiale dhe mediave sociale të kthehen vlerat thelbësore të promovuara nga Dellçevi: “uniteti, bashkëjetesa, konkurrenca kulturore dhe ndërtimi i identitetit kombëtar përmes progresit, jo përmes izolimit apo pasivitetit”.

QËNDRONI TË LIDHUR