• e hënë, 23 dhjetor 2024

Sela: Ende pritet në epilogun për vulat e partisë, Aleanca për Shqiptarët është e bashkuar dhe në koalicion me Frontin Evropian

Sela: Ende pritet në epilogun për vulat e partisë, Aleanca për Shqiptarët është e bashkuar dhe në koalicion me Frontin Evropian

Shkup, 6 korrik 2024 (MIA) - Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela sot, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për pohimet e Arben Taravarit se i ka vulat, u përgjigj se ende po pritet epilogu lidhur me vulat në parti. Sipas Selës, "vula" më e mirë e partisë është vota e delegatëve në Kongres, të cilët po ashtu u nënshkruan që Taravari të shkarkohet nga funksioni kryetar i partisë.

"Ju i keni dëgjuar deklaratat e Taravarit se bëjmë presione. Unë pyes se kush është ai që bën presione? Aleanca për Shqiptarët nuk bën presione. Taravari pohonte se partia nuk është vula, selia ose automjetet që i ka partia, por populli. Tani, kur i ka humbur edhe anëtarësinë edhe popullin përmes votave, edhe në zgjedhjet presidencial edhe në ato parlamentare, kur humbi në Komunën e tij, në vendvotimin e tij, thotë se i ka vulat e partisë. Kjo parti nuk është formuar në kolltuqe. Kjo parti është formuar përmes anëtarësimit të partisë, përmes aktivizmit në çdo fshat, lagje", deklaroi Sela para fillimit të Kuvendit qendror të partisë.

Sipas Selës, vet fakti se në programin e Qeverisë nuk ka asnjë fjalë nga programi i koalicionit "VLEN", dëshmon se Aleanca për Shqiptarët nuk është në koalicion me "VLEN"-in, por aty është vetëm Taravari. Sela shtoi se qëllimi është që Taravari të bëhet ministër i Shëndetësisë dhe t'i realizojë interesat e tij personale nga platforma politike", thotë Sela.

"Qëllimi i tij është të jetë vetëm Arben Taravari dhe askush tjetër. Ndoshta po lëviz në drejtim që të bëhet nënkryetar i Hristijan Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së, kjo është zgjedhje e tij personale. Aleanca për Shqiptarët çdoherë kur ka qenë në pushtet, por edhe në opozitë, ka ditur të realizojë pjesë të platformës politike", thotë Sela.

Ai shtoi se Taravari po shkarkon drejtorë shqiptarë, shfuqizon marrëveshje të qytetarëve, të cilët dërgojnë paga në shtëpi, ndërsa nga ana tjetër, thekson, prioritet e ka parkingun në Qendrën klinike.

I pyetur sa janë unikë tani deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe çfarë janë marrëdhëniet me BDI-në, Sela u përgjigj se Aleanca për Shqiptarët është e bashkuar, ndërsa të gjitha propagandat dhe spinet që shkruhen në portale, kanë për qëllim të krijojnë mosbesim në parti.

"Deputetët e Aleancës për Shqiptarët janë këtu. Aleanca për Shqiptarët është e bashkuar. Të gjitha propagandat dhe spinet të cilat shkruhen në portale kanë për qëllim të krijojnë mosbesim mes nesh. Ne jemi të mësuar në luftëra të tilla speciale, të cilat bëhen mes nesh, pasi edhe në të kaluarën ka pasur muhabete të tilla, se nga Aleanca për Shqiptarët do të dalë ai apo ky deputet. Në këtë asgjë nuk ka pasur të vërtetë, dhe për fat të keq doli kryetari i partisë", tha Sela.

Ai konfirmoi se Aleanca për Shqiptarët është në koalicion me subjekte tjera politikë në Frontin Evropian.

"Aleanca për Shqiptarët është në koalicion me Frontin Evropian dhe ne jemi prononcuar rreth kësaj pune. Fjala e dhënë e Aleancës për Shqiptarët është fjalë e dhënë. Atë e dinë të gjitha faktorët politikë, kundërshtarët tanë politikë, e atë e di edhe votuesi i rëndomtë. Ne çdoherë dimë të realizojmë", shtoi Sela. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR