• e hënë, 23 dhjetor 2024

Sekuestrohen armë në veri të Kosovës, pretendohet se kanë mbetur nga sulmi në Banjskë shtatorin e kaluar

Sekuestrohen armë në veri të Kosovës, pretendohet se kanë mbetur nga sulmi në Banjskë shtatorin e kaluar

Prishtinë, 14 maj 2024 (MIA) - Autoritetet e Kosovës kumtuan sonte se kanë konfiskuar sasi të konsiderueshme armësh në pjesën veriore të vendit ku dyshohet se kanë mbetur pas sulmit të një grupi të armatosur serb më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë afër Zveçanit, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha deklaroi se policia ka siguruar informacione për vendin ku janë gjetur armët nga qytetarët dhe Agjencia e Inteligjencës së Kosovës (AIK).

Hoxha së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla në fjalimin para gazetarëve sonte informoi se bastisjet janë kryer në rrethinën e Zveçanit, përkatësisht në lagjen Rudare.

Drejtori i policisë së Kosovës tha se në mesin e pajisjeve të konfiskuara ka rreth 1.500 copë municion 10 pistoleta, 62 bomba, eksplozivë, radiolidhje, karikatorë të mbushur dhe të zbrazur dhe një uniformë e ushtrisë serbe.

Hoxha informon se një person, ish polic i Kosovës tashmë është arrestuar, pasi dyshohet se është i lidhur me armën që i është gjetur afër shtëpisë së tij.

Nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë prezantuar vazhdimisht armë të konfiskuara në pjesën veriore të vendit me shumicë serbe.

Në shtator të vitit 2023, një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi nga sulmi, vdiqën tre sulmues.

Kosova pretendon se shteti serb është përgjegjës për organizimin dhe kryerjen e sulmit, ndërsa Beogradi e mohon këtë duke pretenduar se ka qenë rezultat i pakënaqësisë së serbëve të Kosovës nga sjellja e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti ndaj tyre.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish nënkryetari i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, Milan Radoiçiq.

Për momentin supozohet se Radoiçiqi është në Serbi, ndërsa kundër tij është lëshuar fletëarrest ndërkombëtar nga organizata botërore e policisë, INTERPOL.

Faktori ndërkombëtar kërkon vazhdimisht nga Beogradi që përgjegjësit për sulmin të nxirren para drejtësisë.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR