Seanca parlamentare për pyetje të deputetëve do të vazhdojë pas një ore pauze
- Seanca e Kuvendit në të cilën në rendin e ditës janë pyetjet e deputetëve do të vazhdojë pas pauzës njëorëshe, të cilën e dha kryetari Afrim Gashi me kërkesë të deputetit të BDI-së, Blerim Bexheti, i cili kërkoi që deputetëve t'u dorëzohet një ekzemplar origjinal të Rregullores.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 12:19, 30 janar, 2025
Shkup, 30 janar 2025 (MIA) - Seanca e Kuvendit në të cilën në rendin e ditës janë pyetjet e deputetëve do të vazhdojë pas pauzës njëorëshe, të cilën e dha kryetari Afrim Gashi me kërkesë të deputetit të BDI-së, Blerim Bexheti, i cili kërkoi që deputetëve t'u dorëzohet një ekzemplar origjinal të Rregullores.
"Me punën tuaj pas disa muajsh, mendoj se është koha që deputetëve t'u jepet Rregullorja origjinale dhe të mos kenë interpretime të ndryshme. Që nga fillimi i këtij mandati, ne kemi punuar me një transkript. Ky është një turp edhe për shtetin edhe për të gjithë ne të pranishmit dhe ka interpretime të ndryshme të Rregullores. Kërkoj që të shpërndahet Rregullorja e Punës e miratuar urgjentisht, jo transkript", ka thënë Bexheti në vërejtjen procedurale.
Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, duke iu përgjigjur Bexhetit, nga foltorja e Kuvendit tregoi se ekzistojnë tri rregullore.
"Për dallim nga ju Bexheti unë kam tri rregullore, një që na është dorëzuar nga mandati i kaluar kur keni qenë në pushtet bashkë me LSDM-në, të dytën që e kam kopjuar për ta bërë më praktike për nevojat e mia të punës dhe të tretën të shkarkuar në telefon që të mund të punojmë dhe kur nuk jemi në Kuvend. Çështja është a duam të respektojmë atë Rregullore që është miratuar pothuajse me unitet maksimal, apo nuk duam ta respektojmë. Po kapeni për çështje teknike, nëse është origjinale apo jo, le ta respektojmë dhe të punojmë në të", tha Micevski.
Gashi theksoi se kjo përbërje parlamentare e ka shtypur Rregulloren dhe ua ka shpërndarë deputetëve dhe se është nxjerrë nga përbërja e mëparshme.
Oliver Spasovski nga LSDM, ndërkaq, në veërejtje procedurale ka reaguar në bazë të nenit 40, paragrafi 2 të Rregullores, që kryetari Gashi të sigurojë praninë e ministrave në seancë.
"Nëse në Rregullore qëndron se në seancë marrin pjesë kryetari dhe anëtarët e Qeverisë, ndërsa ne kemi kryetar dhe vetëm disa ministra të pranishëm në seancë, mendoj se duhet të sigurohet prania e të gjithë ministrave, në mënyrë që të mund të shtrohen pyetje", tha Spasovski.