• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Seanca për “Titanik 2” në Gjykatën e Apelit shtyhet për 13 prill

Seanca për “Titanik 2” në Gjykatën e Apelit shtyhet për 13 prill
 
 
Shkup, 30 mars 2023 (MIA) - Gjykata e Apelit në Shkup e shtyu seancën për “Titanik 2” për 13 prill për shkak të mungesës së disa të akuzuarve, të ftuar në mënyrë jo të rregullt.
 
 
Në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit për ankesat pas aktgjykimit të shkallës së parë për procedurën e përsëritur për rastin “Titanik 2”, të pranishëm ishin vetëm Sasho Mijalkov dhe Bedredin Ibraimi, të cilët thanë se nuk ka marrë ftesë, por e kanë kuptuar dhe kanë ardhë në seancë.
 
Nuk ishin të pranishëm lideri i PDSH-së Menduh Thaçi dhe anëtarët e KSHZ-së Aneta Stefanovska, Vlatko Sajkovski dhe Sasho Srcev, pasi gjykata konstatoi se ata ishin ftuar në mënyrë jo të duhur.
 
Më 23 janar të këtij viti, Gjykata Themelore Penale i shpalli fajtorë dhe u shqiptoi dënim prej 12 vite burg të pandehurit në procedurën e përsëritur për rastin “Titanik 2”, i cili i referohet parregullsive zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Komunën e Strumicës.

Ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov, për veprën penale “marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, gjykata e ka dënuar me dy vjet burgim, në të cilin llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim. Vepra penale e Mijalkovit “marrja e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm” vjetërsohet në fillim të prillit.

Liderin e PDSH-së, Menduh Thaçin, për veprën penale “shkelje e të drejtës së votës”, gjykata e dënoi me dënim me burg prej dy vitesh.

Ish-anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vlatko Sajkovski dhe Sasho Srcev, janë dënuar nga gjykata me dy vjet burg për veprën penale “shkelje e të drejtës së votës”.

Më 8 mars 2019, gjykata themelore penale në Shkup i dënoi të akuzuarit në rastin “Titanik 2” me gjithsej 19 vjet e tetë muaj burg, por Gjykata e Apelit Shkup në nëntor 2019 për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës, aktgjykimin e shkallës së parë e anuloi dhe lëndën e ktheu në rishqyrtim. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR