Seanca e Komisionit për Politikë Sociale është ndërprerë përsëri, LSDM kërkoi të vihet në rend dite Ligji për branitellat
- – Komisioni për Politikë Sociale mbetet i bllokuar, edhe pse kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi kryesuese e emëroi deputeten e koalicionit qeveritar VLEN, Imërlije Saliu Fetai pasi të hënën deputeti Bejxhan Iljas refuzoi ta kryejë këtë funksion.
- Post By Fitore Curri
- 14:17, 12 mars, 2025
Shkup, 12 mars 2025 (MIA) – Komisioni për Politikë Sociale mbetet i bllokuar, edhe pse kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi kryesuese e emëroi deputeten e koalicionit qeveritar VLEN, Imërlije Saliu Fetai pasi të hënën deputeti Bejxhan Iljas refuzoi ta kryejë këtë funksion.
As Fetai nuk pati sukses ta vendosë në votim rendin e ditës në seancë pasi deputetja Jovanka Trençevska nga LSDM kërkoi plotësimin e rendit të ditës me Ligjin e branitellave. Pas kësaj, Fetai e mbylli mbledhjen në kohë të pacaktuar.
Fetai iu përgjigj Trençevskës se kryetari Gashi e ka emëruar që të kryesojë me Komisionin vetëm për Ligjin për Sigurim Pensional dhe Invalidor.
“Unë thashë që është vetëm një pikë në rend dite dhe ju lus të votojmë. Të gjitha afatet për Ligjin për branitellat kanë kaluar dhe më mbetet vetëm të rishikoj Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor. Ju nga LSDM nuk bëni tendenca. Ju keni dalë nga salla në seancën e interpelancës për të mos u akuzuar për përkeqësim të marrëdhënieve ndëretnike. Unë do ta shtyj seancën për një kohë të pacaktuar. Nuk mendoj se është i nevojshëm debat. VLEN nuk do të lejojë që të vendoset Ligjit për branitellat në rend dite pa pjesëtarët e UÇK-së. Nuk ka nevojë për debat. Shpresoj që Ilire Dauti të kthehet në Komision si kryetare”, tha Fetai.
Problemi në Komisionin për Politikë Sociale ka filluar në nëntor të vitit të kaluar pasi deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, refuzoi ta vendosë në rend dite Propozim-ligjin për branitellat nëse nuk vendoset zgjidhje ligjore edhe për pjesëtarë e UÇK-së. Kuvendi, në seancën plenare të 10 janarit, me mbështetjen e 61 deputetëve dhe 22 “kundër”, ka votuar interpelancën e kryetares së Komisionit kuvendor për Punë, Politikë Sociale dhe Rini, Ilire Dauti. Interpelanca për Dautin është dorëzuar në nëntor nga grupi parlamentar “E majta”, pasi Dauti, siç është theksuar në seancën plenare, me “sjelljen e saj të pamatur, të papërgjegjshme, antikushtetuese dhe të kundërligjshme” ka penguar Ligjin për branitellat të parashtruar nga LSDM-ja opozitare duke mos e futur në rendin e ditës të Komisionit që ajo drejton. Një javë më vonë, Dauti dha dorëheqje nga posti i saj si kryetare e Komisionit. fc/
Fotografia: MIA