• e hënë, 23 dhjetor 2024

Seancë ndërqeveritare e qeverisë së Maqedonisë dhe Kosovës, vendet mbeten të përkushtuara në bashkëpunimin në mbrojtje

Seancë ndërqeveritare e qeverisë së Maqedonisë dhe Kosovës, vendet mbeten të përkushtuara në bashkëpunimin në mbrojtje

Shkup, 18 nëntor 2024 (MIA) - Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski sot në Prishtinë gjatë seancës ndërqeveritare ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe Kosovës të udhëhequr nga kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti bisedoi me homologun e tij kosovar, Ejup Makedonci, me të cilin e konfirmuan synimin e të dy vendeve për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje. Ministrat Misajllovski dhe Makedonci theksuan se stabiliteti dhe siguria rajonale është prioritet për të dyja qeveritë, informojnë nga MB.

"Vendi ynë është një aleat aktiv dhe i përkushtuar i NATO-s, prioriteti i të cilit është stabiliteti dhe siguria rajonale. Ushtria e Maqedonisë tashmë katër vjet kontribuon në misionin e NATO-s KFOR në Kosovë, që është dëshmi se rajoni dhe siguria e tij janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ne", tha Misajllovski.

 

Ministri Makedonci u falënderua për transparencën e Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë dhe ministrit Misajllovski për përparimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe shtoi se ai është kyç për ruajtjen dhe forcimin e sigurisë në të gjithë rajonin. 

Të dy vendet kanë bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes që nga viti 2010, kur u nënshkrua edhe Memorandumi i parë i bashkëpunimit. Sipas planeve vjetore për bashkëpunim në mbrojtje, ai realizohet në fushën e stërvitjeve në poligonin e ushtrisë “Krivolak”, edukimit ushtarak, politikës mbrojtëse, trajnimit mjekësor, përballjes me dezinformatat etj.

Gjatë seancës së sotme ndërqeveritare u nënshkruan protokollet dhe memorandumet e bashkëpunimit në tri fusha - memorandumi për energjinë, minierat dhe resurset minerale; Protokolli për zbatimin e Marrëveshjes për pikat e përbashkëta kufitare "Bllacë - Elez Han" dhe “Jazhincë – Glloboçicë” dhe memorandum për mirëkuptim dhe bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës. ls/

Foto: MB

QËNDRONI TË LIDHUR