• e diel, 22 dhjetor 2024

Saracin: Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e marrëveshjes me BE-në, nuk do të ketë ofertë tjetër në tavolinë

Saracin: Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e marrëveshjes me BE-në, nuk do të ketë ofertë tjetër në tavolinë

Shkup, 19 maj 2023 (MIA)- Ndryshimet kushtetuese janë parakusht dhe janë pjesë e marrëveshjes me BE-në, andaj të njëjtat duhet të zbatohen, deklaroi emisari i Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin. 

Gjatë pjesëmarrjes në Klik plus në TV21 i pyetur nëse vendi do të arrijë t’ia dalë në fund ose jo me ndryshimet kushtetuese, thotë se nuk mund të vë bast sepse çfarëdo vendimi që merr vendi duhet të respektohet.

“Konsiderojmë se ka një marrëveshje evropiane në tavolinë dhe se kjo duhet të pranohet ose të votohet kundër. Por nuk do të ketë marrëveshje të tjera në tavolinë. Se sa deputetë do të votojnë për ndryshimet kushtetuese nuk është detyra ime të gjykoj. Por ne e themi hapur dhe sinqerisht, flasim me të gjithë dhe po mundohemi të kuptojmë argumentet tona, për hir të integrimit evropian, që Maqedonia e Veriut të fillojë këtë rrugëtim së bashku me Gjermaninë”, tha Manuel Saracin.

Ai tha se vendi ka humbur mjaft kohë edhe për faj të vetin po edhe për faj të BE-së, andaj nuk ka më kohë për humbje. Gjermania gjithnjë do të respektojë kulturën, identitetin dhe gjuhën maqedonase, siguron emisari.

“Shumë njerëz në Maqedoninë e Veriut kanë frikë se me këtë proces po rrezikohet identiteti maqedonas, kultura maqedonase, gjuha maqedonase, vet ekzistimi i popullit maqedonas. Unë mund t’ju garantojë juve dhe të gjithë popullit në Maqedoni se për Gjermaninë, kjo është e rëndësishme dhe e respektojmë si të tillë. Ne e respektojmë identitetin maqedonas, kulturën maqedonase, respektojmë popullin e Maqedonisë, ne e respektojmë shtetin e Maqedonisë së Veriut”, tha Saracin.

Ai poashtu tha se janë të vetëdijshëm se besimi në Bashkimin Evropian nuk është më i njëjtë, por apeloi se vendi duhet të vazhdojë të besojë sepse BE është opsioni i qartë strategjik i shtetit.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR