Sali: Rikonstruim i qeverisë në maj, 2026-ta nuk është vit zgjedhor
- “Është në parim marrëveshje për të bërë rikonstruim pas dy vitesh funksionim të kësaj qeverie, është e natyrshme të kemi rifreskim të disa resorëve. Është planifikuar në fillim të muajit maj, në dyvjetorin e fitores në vitin 2024 dhe formimin e qeverisë së re. Dy vite është periudhë e mjaftueshme për të parë perfomancën”, ka thënë Sali.
- Post By Fami Bajrami
- 12:21, 10 shkurt, 2026
Shkup, 10 shkurt 2026
Zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e VLEN, Bekim Sali në emisionin “Click plus” në TV21 duke folur për rikonstruimin e qeverisë të cilën e paralajmëroi kryeministri Hrstijan Mickoski tha se kjo është planifikuar të ndodhë në muajin maj.
“Është në parim marrëveshje për të bërë rikonstruim pas dy vitesh funksionim të kësaj qeverie, është e natyrshme të kemi rifreskim të disa resorëve. Është planifikuar në fillim të muajit maj, në dyvjetorin e fitores në vitin 2024 dhe formimin e qeverisë së re. Dy vite është periudhë e mjaftueshme për të parë perfomancën”, ka thënë Sali
Ai thotë se në parim ndryshimet priten më tepër në palën tjetër dhe se janë plane të brendshme partiake.
“Si VLEN kemi koordinim të brendshëm, ne vendosim për perfomancën tonë”, tha ai.
Sipas tij, rikonstruimi i qeverisë paralajmëron se nuk ka zgjedhje të parakohshme parlamentare.
”Viti 2026 nuk është vit zgjedhor, 2027-ta do të jetë për zhvillim ekonomik, ndërsa viti 2028 mbetet për zgjedhje të rregullta parlamentare”, ka thënë Sali.
Pozita e zv/ministrit të Arsimit, sipas tij mund të plotësohet edhe tani, i takon VLEN-it dhe siç tha jemi në pritje e sipër.
VLEN fiton zgjedhjet edhe më 2028, BDI-ja duhet ta presë 2032-ën
Zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e VLEN, Bekim Sali në emisionin “Click plus” në TV21 ka thënë se VLEN fiton zgjedhjet e ardhshme edhe në vitin 2028, ndërsa mund të sfidohet ndoshta siç tha ai, “në zgjedhjet e vitit 2032, pasi atëherë pret një gjeneratë të re në BDI”.
“Po e them tash, në vitin 2031, ta nxjerrni se e kam thënë se në zgjedhjet ku mund të sfidohemi është viti 2032, kjo pasi funksionimi i deritashëm i VLEN-it dhe koalicionit qeveritar ka dëshmuar se kemi rrugë të sigurt në zhvillimin ekonomik. Deri më 2028 nuk besoj që BDI të reformohet apo riorganizohet dhe të jetë parti politike që ta sfidojë VLEN-in. Në vitin 2028 konsiderojmë për fat keq, nuk do të ketë opozitë. Viti 2032 mund të jetë vit zgjedhor nga e cila mund të sfidohemi nga një gjeneratë e re që mund të vijë në BDI…”, ka thënë Sali.
Sipas tij, është e natyrshme që opozita të kërkojë zgjedhje, por lutet që të mos ketë, pasi rezultati i zgjedhjeve lokale e dëshmoi atë se kush është fituesi.
“Trashëgimia e situatës reale që kishim në vitin 2024, na pengoi në realizimin e nisjes së shumë pikave që kishim paralajmëruar pasi gjendja reale ka qenë ndoshta pasojë e krizës së kovidit ku nuk funksiononin institucionet me rregull, mirëpo viti 2026 nuk është vit zgjedhor”, ka thënë mes tjerash zëvendëskryeministri Sali.
Kërkesa e studentëve për shqipen ka bazë kushtetuese, i përkrahim maksimalisht
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali në emisionin “Click plus” në TV21 duke folur për kërkesën e studentëve që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, theksoi se të drejtat e garantuara me Kushtetutë nuk kanë nevojë të përsëriten në çdo ligj, pasi ato duhet të zbatohen me automatizëm nga institucionet.
“Duhet të respektohet Kushtetuta dhe nuk duhet të futemi në çdo ligj, apo rregullore të institucioneve të ndryshme, ta shkruajmë gjithandej se duhet kjo për arsye se nëse në Kushtetutë është e shkruar diçka, gjithçka inkorporohet në praktikën e mëtutjeshme të institucioneve dhe do t’i qëndrojmë kësaj mbrapa. Studentët do ta kenë përkrahjen maksimalisht”, ka thënë Sali.
Zëvendëskryeministri Sali ka thënë se ka komunikuar me ministrin e Drejtësisë, Igor Fillkov, por se nga ana e tij nuk ka pasur mirëkuptim. Ai theksoi se kërkesa e studentëve ka bazë kushtetuese dhe se refuzimi nuk lidhet me mungesë argumentesh ligjore, por me mungesë vullneti.
“Unë kam pasur një komunikim me ministrin, për fat të keq nuk ka pasur mirëkuptim”, ka thënë mes tjerash zv/kryeministri Sali, duke shtuar se kjo nuk është çështje politike, por juridike dhe nuk kërkon negociata apo diskutime të gjata.
Muaji maj do jetë muaji i Evropës
Zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e VLEN, Bekim Sali ka thënë se pas zgjedhjeve lokale në vend ka një dinamikë të përshpejtuar për eurointegrimet e vendit.
“Agjendën e reformave po e shtyjmë me dinamikë të përshpejtuar që të jemi diçka paralel me Shqipërinë dhe Malin e Zi, pasi ato nuk i kanë temat politike. Kemi pas zhvillim në agjendën reformuese, por stagnim për shkak të zgjedhjeve, nuk ka pasur ndalesë të aktivitetit, por një dinamikë të zvogëluar dhe tani pas zgjedhjeve lokale dinamika është shtuar. Fokusi im kryesor është aty”, ka thënë Sali.
Ai shton se deri në muajin qershor do të jemi shumë mirë në këtë rrugëtim, por siç tha, “duhet të presim edhe zgjedhjet parlamentare në Bullgari”.
“Sinjalet janë shumë pozitive, në Bruksel takova njerëz që janë vendimmarrës për zgjerimin e këtij vendi. Muaji maj unë planifikoj se do jetë muaji i Evropës, janë të ftuar shumë diplomatë, politikanë të BE-së, pra është çështje agjendash që do vijnë ta vizitojnë vendin dhe do jetë një paralajmërim dhe dëshmi e përkrahjes që ata do japin”, ka thënë Sali.
Lidhur me akuzat se kjo qeveri është duke mbijetuar nga fakti se faktori ndërkombëtarë nuk është i fokusuar në Maqedoninë e Veriut, dhënë konkretisht nga nënkryetari i BDI-së, Arjanit Hoxha, Sali me përgjigje:
“Janë deklarata joserioze, për personin në fjalë nuk kam ndonjë mendim serioz, e kaluara flet për qëndrimet e tij politike dhe nuk kisha dashur të komentojë”, ka thënë ai.
Me VLEN përfaqësimi i shqiptarëve është rritur, kjo është përqindja
Zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e VLEN, Bekim Sali në emisionin “Click plus” në TV21 ka thënë se pas shfuqizimit të balancuesit, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e shtetit është rritur për 0.5 për qind.
“Me balancuesin përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e shtetit e kemi pasur 22.3 për qind, ndërsa me shfuqizimin e balancuesit e cila ka qenë iniciativë e qeverisë teknike, gjatë funksionimit dhe veprimit të VLEN në qeveri përfaqësimi është 22.8 për qind, pra për 0.5 për qind është rritur përfaqësimi i shqiptarëve si rezultat i kërkesës dhe insistimit tonë për përfaqësimin e drejtë”, tha Sali.
Ai tha se është formuar një komision kadrovik që mbikëqyr punën e funksionimit të përfaqësimit në të gjitha institucionet shtetërore që është rezultat i punës së palodhshme të një ekipi që është fenomenal.
Sa i takon Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, thekson se Komisioni i Venecias e ka vlerësuar si ligj që përfaqëson edhe etnitë edhe meritokracinë.
“Brenda ligjit është paraparë edhe një trup që do të monitorojë implementimin e këtij ligji dhe ka për qëllim të mbajë balanc mes përfaqësimit etnik dhe meritokrakcisë. Personi i duhur në vendin e duhur”, ka thënë zv/kryeministri Sali.
VLEN