Sali: Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjegjëse për vdekjen e pacientit me fibrozë cistike, janë siguruar mjete për ilaçin për tetë pacientët më të sëmurë
- Ministria e Shëndetësisë nuk do të ishte institucioni më përgjegjës për vdekjen e pacientit me fibrozë cistike, i cili nuk e priti furnizimin e ilaçit “Trikafta”, tha ministri kompetent Bekim Sali.
- Post By Sara Ademi
- 16:12, 9 shkurt, 2023
Strugë, 9 shkurt 2023 (MIA) - Ministria e Shëndetësisë nuk do të ishte institucioni më përgjegjës për vdekjen e pacientit me fibrozë cistike, i cili nuk e priti furnizimin e ilaçit “Trikafta”, tha ministri kompetent Bekim Sali.
Pas vizitës së sotme në Spitalin e Përgjithshëm të Strugës, i pyetur nëse ndihet përgjegjës për vdekjen e të riut nga Manastiri, ai tha se kanë raportuar me kohë dhe kanë kërkuar mbështetje nga Qeveria dhe Ministria e Financave, që të përgjigjen pozitivisht në kërkesën për trajtimin e pacientëve me fibrozë cistike.
"Dje u shpreha ngushëllimet e mia të gjithë anëtarëve të Asociacionit, me të cilët jam në komunikim të vazhdueshëm. Dhe ata e dinë gatishmërinë time për ta zgjidhur këtë problem, që fatkeqësisht është shkaktuar nga faktorë të tjerë, ndërsa jo nga Ministria e Shëndetësisë. Duke pasur parasysh se Ministria nuk i blen barnat, por organizon sistemin dhe ligjërisht mundëson dhënien e ingerencave për institucionet me të cilat mund të disponojnë dhe si të organizohen" deklaroi Sali.
Ai theksoi se janë duke bërë ndryshime në tre ligje, të cilat do të mundësojnë negociata të drejtpërdrejta me prodhuesit e barnave.
"Me vendimin e sotëm të Fondit për Sigurim Shëndetësor, ndërkohë duhet të mbahet edhe seanca e Bordit Drejtues dhe të vendoset për një buxhet shtesë që do të miratohet për pediatrinë për të siguruar ilaçet “trikafta” për pacientët që janë në gjendje kritike", tha Sali.
Sipas tij, tetë janë në gjendje kritike dhe 22 të tjerë në gjendje mesatare të rëndë.
Ai më herët në profilin e tij në Fejsbuk ka publikuar se sot janë siguruar 140 milionë denarë mjete buxhetore për blerjen e ilaçit “Trikafta” për tetë pacientë me fibrozë cistike. sa/