Sakelaropulu dhe Erdogani shprehën vullnet për përmirësimin dhe thellimin e marrëdhënieve greko-turke
- Besoj se ky takim i pestë i Këshillit të Lartë për Bashkëpunim do të jetë mundësi për fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë, porositi presidenti turk Rexhep Taip Erdogani në fillim të takimit me presidenten greke Katerina Sakelaropulu, e cila theksoi se është e nevojshme të thellohet bashkëpunimi dhe të shmangen tensionet në marrëdhëniet dypalëshe, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 13:16, 7 dhjetor, 2023
Athinë, 7 dhjetor 2023 (MIA) - Besoj se ky takim i pestë i Këshillit të Lartë për Bashkëpunim do të jetë mundësi për fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë, porositi presidenti turk Rexhep Taip Erdogani në fillim të takimit me presidenten greke Katerina Sakelaropulu, e cila theksoi se është e nevojshme të thellohet bashkëpunimi dhe të shmangen tensionet në marrëdhëniet dypalëshe, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Presidenti turk sot është në Athinë për Këshillin e pestë të Lartë për Bashkëpunim Greqi-Turqi, mëngjesin e sotëm është pritur nga presidentja greke dhe do të takohet me kryeministrin e Greqisë Kirjakos Micotakisin.
Në takimin me Sakelaropulu, Erdogani tha se qëllimi është që vëllimi i tregtisë nga 5.5 miliardë dollarë të rritet në dhjetë dhe theksoi se me Greqinë do të bisedojnë për hapat e ardhshëm në të gjitha fushat, ndërsa ministrat do të vendosin nënshkrimet e nevojshme.
"Besoj se do të jetë më mirë për të ardhmen që të dyja palëve të bisedojmë duke e parë gotën gjysmë të mbushur", porositi Erdogani.

Presidentja greke theksoi se përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe do të jetë në dobi edhe të të dyja vendeve, por edhe në rajonin më të gjerë.
"Nëse e marrim parasysh atë që po ndodh rreth nesh, është e nevojshme, ndoshta më shumë se kurrë, që Greqia dhe Turqia të punojnë së bashku për ta përforcuar prosperitetin, ta ruajnë paqen, stabilitetin dhe respektimin e të drejës ndërkombëtare, si dhe të promovohen marrëdhëniet e mira fqinjësore, në dobi edhe të popujve tanë dhe të rajonit më të gjerë", theksoi Sakelaropulu.
Në takimin e Këshillit të Lartë për Bashkëpunim pritet të nënshkruhen memorandume për bashkëpunim, ndërsa në intervistën e djeshme për gazetën "Katimerini", presidenti turk paralajmëroi nënshkrimin e Deklaratës për Marrëdhëniet Miqësore dhe Fqinjësi të Mirë.

Athina është sot nën masa drakoniane sigurie për shkak të vizitës së Erdoganit, janë angazhuar të paktën tre mijë policë, ndërsa në pjesën qendrore të metropolit grek, me vendim të policisë ndalohet çdo tubim dhe protestë.
Presidenti turk herën e fundit në Athinë ka qenë pikërisht gjashtë vite më parë, gjegjësisht në të njëjtën datë, më 7 dhjetor realizoi vizitë zyrtare në Greqi.
Foto: MIA