• e shtunë, 06 dhjetor 2025

"Safari në Sarajevë": Prokurorët e Milanos zgjerojnë hetimin, italianët paguhen për të vrarë civilë

Milano, 17 nëntor 2025 (MIA) - Zyra e prokurorit të Milanos po zgjeron hetimin për të ashtuquajturin "Safari në Sarajevë " - skema e supozuar e organizuar në të cilën të huaj të pasur, përfshirë qytetarë italianë, paguan shuma të mëdha parash për të marrë pjesë në "fundjavat e gjuetisë" duke qëlluar civilë gjatë rrethimit të Sarajevës (1992-1996).

Hetimi u hap bazuar në një ankesë të paraqitur nga gazetari dhe shkrimtari italian Ecio Gavaceni, me dyshimin për vrasje të shumëfishta me paramendim, të rënduara me motive të këqia dhe mizore.

Milano dhe Trieste ishin qendrat e tranzitit 

Sipas dëshmisë së gazetares dhe aktivistes boshnjake Mensura Burixh, e cila kohët e fundit tregoi historinë e saj për portalin italian “Fanpejxh”(Fanpage.it), njerëz që vinin nga vendet perëndimore (si Anglia dhe Gjermania) udhëtonin nëpër Itali.

"Ata që vinin nga vendet perëndimore kalonin nëpër Itali, veçanërisht Milano dhe Trieste. Prej andej ata fluturonin për në Beograd dhe mbërritën në territorin e pushtuar nga serbët me automjete jashtë rrugës ose helikopterë", tha Burixh për numrin e sotëm të “Fanpejxh”.

Ajo theksoi se në fillim fenomeni "safari njerëzor" nuk ishte i organizuar, por njerëz nga popullsia lokale serbe paguanin për të vrarë fëmijë dhe të rritur. Vetëm më vonë filluan të mbërrinin grupe nga Greqia, Bullgaria, Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia dhe më pas snajperë nga vendet perëndimore, të cilët paguanin deri në 100 marka gjermane për një vrasje.

Në raportin e saj, gazetarja Burixh - autore e librit "Ne, fëmijët e Sarajevës" - thekson gjithashtu edhe mungesën e gjatë të dëshirës për të hetuar këtë fenomen.

Mizoria dhe lista e çmimeve për vrasjet e fëmijëve 

Detajet e ankesës së paraqitur nga Gavaceni, e cila u raportua edhe nga gazeta italiane "Il Fato Kuotidiano" (ilfattoquotidiano.it), zbulojnë nivele të tmerrshme mizorie.

Sipas burimit, snajperistë, që kryesisht ishin njerëz të pasur, gjuetarë të përkushtuar, entuziastë të armëve dhe anëtarë të së djathtës ekstreme, ndoqën një skenar horror:

Plagosje e qëllimshme: Snajperistët do ta plagosnin qëllimisht viktimën me të shtënën e parë, e cila do të mbetej në agoni në rrugë.

Vrasja e shpëtimtarëve: Mizoria konsistonte në pritjen e mbërritjes së dikujt për të ndihmuar viktimën, me qëllim që t'i shtoheshin disa vrasje asaj të parës.

Shënjestra më e shtrenjtë: Një kompensim edhe më i lartë u pagua për të qëlluar fëmijë, siç konfirmohet nga një oficer anonim i shërbimit sekret slloven që dëshmoi ngjarjen.

Raporti thotë se "turistët snajperistë" mbërrinin të premten, qëndronin për dy ose tre ditë, pastaj largoheshin të dielën, duke u kthyer në jetën e tyre normale të hënën. Ai përmend italianë nga Torino, Milano dhe Trieste që dyshohet se morën pjesë në këto "safari".

Logjistika, inteligjenca dhe ndikimi politik 

Logjistika e këtyre "fundjavave të gjuetisë" ishte shumë e kushtueshme dhe komplekse.

"Il Fato Kuotidiano" citon dëshminë e një ish-oficeri të shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ushtrisë së Bosnjës dhe Hercegovinës (ARBiH), i cili zbulon se grupet u takuan në Trieste, nga ku fluturuan për në Beograd me "Aviogeneks", një ish-linjë ajrore serbe çarter. Prej andej, ata u transferuan në kodrat përreth Sarajevës me helikopterë dhe automjete ushtarake.

Sipas disa mediave italiane, ka dyshime se Shërbimi i Sigurisë Shtetërore Serbe (BIA) dhe Inteligjenca Ushtarake (KOS), me ndihmën e komandantëve vendas, qëndronin pas kësaj organizate.

Ish-oficeri pretendon se deri më sot, dëshmitarët janë nën presion nga shërbimet serbe për ta mbajtur të fshehtë të gjithë operacionin. Jepet një shembull i një piloti helikopteri i cili refuzoi të intervistohej për dokumentarin sepse u kërcënua nga agjentët e BIA-s.

"Rruga e Snajperistëve" dhe hetimet e mëparshme 

Ky fenomen është diskutuar më parë gjatë gjyqeve në Gjykatën e Hagës, por hetimet nuk vazhduan kurrë aq gjatë sa për të gjetur ata që janë përgjegjës.

Gazetarja boshnjake Burixh, për “Fanpejxh”, thekson se kriminelët e luftës ende ecin lirshëm pranë viktimave të tyre sot.

Fenomeni i “snajperistëve turistë” u ekspozua publikisht me filmin dokumentar “Safari në Sarajevë” nga regjisori slloven Miran Zhupaniç.

Kryetarja e bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariq, gjithashtu paraqiti një ankesë në zyrën e prokurorit në Bosnjë dhe Hercegovinë në shtator 2022, pasi u publikua filmi.

Sulmet me snajper ndodhën më shpesh në të ashtuquajturën “Rrugica e Snajperistëve”, e cila shtrihej nga rruga “Marijin Dvor” deri në Ambasadën Amerikane. Siç shpjegoi Burixh, për shkak të pozicionit gjeografik të Sarajevës, forcat serbe kishin një pamje të qartë të qytetit nga kodrat përreth, ndërsa civilët fshiheshin me batanije dhe rroba në përpjekje për të zvogëluar dukshmërinë.

Gazeta “La Stampa”, që në mars të vitit 1995, shkroi për njerëzit që “rezervojnë fundjavat e luftës” për në ish-Jugosllavi nga disa aeroporte evropiane (gjermane dhe angleze). Programi parashikon mundësinë e një gjuetie të madhe”.

Në të njëjtën kohë, gazeta "Korriere della Sera" në mars të vitit 1995 botoi një artikull me titullin "Pushime në Bosnjë për të luftuar", në të cilin përmendeshin "Turistët italianë që shkojnë në ish-Jugosllavi për të marrë pjesë në luftimet. Por ka edhe nga ata që argëtohen duke vrarë".

Hetimi në Milano, i nisur me qëllim dhënien e emrave të italianëve që morën pjesë në "gjuetinë me njerëz ", është hapi i parë serioz ligjor pas 30 vitesh heshtjeje.

Foto: Printskrin Jutub

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR