Së shpejti ligj për siguri kibernetike, energjetika përparësi për mbrojtje
- Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski pret që Propozim ligji për sigurinë kibernetike deri në fund të muajit të kalojë procedurën qeveritare dhe në fillim të qershorit të hyjë në procedurën parlamentare. Ai pret që zgjidhja e re ligjore të mbështetet nga të gjithë deputetët, sepse, siç thotë, nuk bëhet fjalë për ligj politik, por për ligj që do të thotë siguri për tërë shoqërinë.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:58, 16 maj, 2025
Shkup, 16 maj 2025 (MIA) - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski pret që Propozim ligji për sigurinë kibernetike deri në fund të muajit të kalojë procedurën qeveritare dhe në fillim të qershorit të hyjë në procedurën parlamentare. Ai pret që zgjidhja e re ligjore të mbështetet nga të gjithë deputetët, sepse, siç thotë, nuk bëhet fjalë për ligj politik, por për ligj që do të thotë siguri për tërë shoqërinë.
“Duke marrë parasysh se sa sulmet kibernetike po synojnë infrastrukturën kritike dhe sa të goditura mund të jenë sistemet e prodhimit dhe furnizimit me energji elektrike, me rëndësi të jashtëzakonshme është ky samit, ku do të diskutohen politikat e digjitalizimit në aspektin e energjisë”, deklaroi Andonovski para fillimit të Samitit kombëtar për energji digjitale dhe infrastrukturën e sigurtë kritike.

Ai vlerësoi se kanë krijuar bashkëpunim të shkëlqyer me Ministrinë e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale në fushën e shërbimeve për qytetarët dhe kompanitë.
"Po shkojmë drejt digjitalizimit të plotë të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale sepse ato janë faktor kyç në zhvillimin e Strategjisë kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe Ligjit për Sigurinë Kibernetike dhe janë një nga faktorët kryesorë në mbrojtje dhe siguri kibernetike. Shpresoj se në periudhën e ardhshme do të arrijmë të ndërtojmë një sistem të plotë që do ta mbrojë atë Ministri dhe kapacitetet e disponueshme të Maqedonisë së Veriut në sektorin energjetik", tha Andonovski, duke shtuar se tërë Evropa po i kushton vëmendje kësaj çështjeje.
Për momentin, siç tha ai, kapacitetet energjetike të Maqedonisë së Veriut janë të sigurta.
"Qytetarët duhet të jenë të qetë. Sistemi i transmetimit të energjisë është i sigurt. Për shkak të disa incidenteve të një viti deri në një vit e gjysmë më parë, në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, janë bërë disa përpjekje serioze për të siguruar rrjetin dhe për momentin mund të them se bëhet fjalë për një sistem të sigurt, që nuk do të thotë se kjo është e dhënë njëherë e përgjithmonë. Do të duhet të bëhen punime shtesë për mbrojtjen e tyre. Mendoj se me Ligjin për Sigurinë Kibernetike do të ofrojmë një udhërrëfyes se si të mbrohen institucionet dhe sistemi i transmetimit të energjisë elektrike", theksoi Andonovski.

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, kujtoi se vitin e kaluar pati një sulm kibernetik në MEPSO që zgjati për shumë muaj.
"Kjo është infrastrukturë kritike për të gjithë vendin dhe ne duhet t'i kushtojmë rëndësi të madhe, respektivisht të mbrohen largpërçuesit dhe tërë prodhimi ynë dhe komunikimi me hidro dhe termocentralet. Kjo është me rëndësi kombëtare si dhe kudo në botë. Po punojmë për këtë në bashkëpunim me ministrin e Transformimit Digjital dhe me ligjin do të ketë edhe risi", theksoi Bozhinovska.
Procesin e mbrojtjes së objektit energjetik, siç tha, do ta udhëheqë Ministria e Transformimit Digjital, ndërsa Ministria e Energjetikës do të përfshihet në këtë.
"Gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi të sigurt sepse është me rëndësi kombëtare. Ende nuk kemi diskutuar se kush do ta kryejë sigurinë kibernetike - një kompani private apo do të bëhet me burime shtetërore, por do të diskutojmë më tej dhe do të zgjedhim se çfarë do të jetë më mirë për qytetarët", tha Bozhinovska në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve. qa/
Foto: MIA