• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Rustemi: Korridori 8 u konfirmua si një prej projekteve më të rëndësishme të BDI-së me relevancë strategjike

Rustemi: Korridori 8 u konfirmua si një prej projekteve më të rëndësishme të BDI-së me relevancë strategjike

Shkup, 29 tetor 2024 (MIA)- Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmes konferencës së sotme për shtyp ka shprehur kënaqësinë që Korridori 8 dhe 10d po vazhdon të ndërtohet, pavarësisht që i njëjti realizohet nga një qeveri pa legjitimitet etnik. 

Kjo, sipas Ejup Rustemit vetëm sa konfirmon vizionin e qëndrueshëm dhe politikat e tyre afatgjate për përparimin e vendit dhe ndërtimin e infrastrukturës moderne rrugore.

“Nuk mund të mos vëmë në dukje se ata që deri dje e kundërshtonin ashpër këtë projekt dhe kërcënonin me anulimin e tij, sot e quajnë atë një projekt historik. Ky ndryshim qëndrimi tregon vlerën e pamohueshme që Korridori 8 paraqet për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe përmirësimin e lidhjeve të saj me rajonin dhe Evropën”, ka thënë ish drejtori i NP “Rrugë Shtetërore”, Rustemi.

Politikat e BDI-së, shton ai, kanë qenë gjithmonë në interes të qytetarëve dhe siç shton, ”rezultatet e përditshme i bindin ata se akuzat dhe sulmet e drejtuara ndaj nesh nuk ishin asgjë tjetër përveçse përpjekje për të arritur pushtetin pa mbështetje të vërtetë”.

“Përkundër kritikave, ne kërkojmë që ky projekt i rëndësishëm të realizohet me sukses.  Gjithashtu, apelojmë për ndërtimin e tunelit në aksin rrugor Gostivar-Bukojçan, duke e vlerësuar këtë si zgjidhjen më të përshtatshme për ndërtimin e Korridorit 8”, ka thënë Rustemi.

BDI, sipas tij kërkon që fondet e përcaktuara për këtë projekt të përdoren sipas planifikimit, pa asnjë pengesë apo vonesë të panevojshme. 

“Ky projekt mban vulën e BDI-së, mban vulën e angazhimit tonë për të mirën e përbashkët dhe të ardhmen më të mirë të Maqedonisë së Veriut”, ka thënë mes tjerash Rustemi.

 

QËNDRONI TË LIDHUR