Rusia sulmoi një minier qymyri në rajonin Dnjepropetrovsk të Ukrainës
- Rusia dje kreu një sulm të rëndë ndaj një miniere qymyri në rajonin Dnjepropetrovsk, njoftuan autoritetet ukrainase.
- Post By Qefsere Abduli
- 07:55, 20 tetor, 2025
Kiev, 20 tetor 2025 (MIA) - Rusia dje kreu një sulm të rëndë ndaj një miniere qymyri në rajonin Dnjepropetrovsk, njoftuan autoritetet ukrainase.
"Menjëherë para fillimit të sezonit të ngrohjes, armiku edhe një herë goditi sektroin energjetik të Ukrainës", thuhet në njoftimin e drejtuesve të minierës në Telegram.
Në momentin e sulmit, 192 minatorë ndodheshin nën tokë në minierë. Të gjithë thuhet se janë evakuuar në mënyrë të sigurt, raportoi DPA.
Udhëheqësit njoftuan se ky është incidenti i katërt i madh ndaj objekteve të kompanisë për prodhimin e qymyrit në dy muajt e fundit.
Vetëm një ditë më parë, ka pasur ndërprerje të rrymës në rajonin e Dnjepropetrovsk pas sulmeve ruse ndaj objekteve për furnizimin me energji.
Në një sulm tjetër rus, mbrëmë u godit qendra e energjetikës në fshatin Korjukiv në rajonin Çernihiv.
"Dëmi është shumë i madh", njoftoi furnizuesi rajonal me energji elektrike në Telegram.
Rreth 55.000 njerëz fillimisht mbetën pa furnizim me energji elektrike.
Ushtria ruse së fundmi i ka intensifikuar sulmet ndaj objekteve të furnizimit me energji në Ukrainë. Qëllimi i këtyre sulmeve është të ndërpritet ose të pengohet furnizimi me energji elektrike dhe ujë për popullatën civile me fillimin e dimrit.
Dronë rusë janë vërejtur edhe vonë mbrëmë. Sipas forcave ajrore ukrainase, dronët fluturuan mbi rajonet Sumi, Çernihiv, Poltava dhe Harkov. Caku i sulmeve nuk është bërë i ditur. Në disa pjesë të vendit është dhënë alarm ajror.
Ukraina po mbrohet nga invazioni rus nga shkurti i vitit 2022. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s