• e premte, 05 dhjetor 2025

Rubio: Presim deeskalim të situatës në Siri në orët e ardhshme

Rubio: Presim deeskalim të situatës në Siri në orët e ardhshme

Uashington, 16 korrik 2025 (MIA) - Sekretari shtetëror amerikan Marko Rubio, deklaroi se luftimet midis druzëve dhe beduinëve sirianë çuan në një "keqkuptim" midis qeverisë izraelite dhe siriane, që rezultoi me sulme izraelite ndaj Damaskut, por se ai pret deeskalim të situatës në orët e ardhshme.

"Ne jemi në rrugën e deeskalimit të vërtetë të situatës dhe më pas shpresojmë të kthehemi në rrugën e ndihmës për Sirinë në rindërtimin e vendit dhe drejt një situatë shumë më të qëndrueshme në Lindjen e Afërt", tha Rubio.

Ai shtoi se SHBA-ja shpreson se do të shohin përparim në këto përpjekje në orët e ardhshme, ndërsa udhëheqësi religjioz i druzëve, sheiku Jusef Xharbu, deklaroi më parë se druzët tashmë kanë arritur një armëpushim me qeverinë në Damask.

Në të njëjtën kohë, Aksios, duke cituar burime, publikoi se administrata e presidentit amerikan Donald Tramp është afër arritjes së një marrëveshjeje për deeskalim të situatës midis Izraelit dhe Sirisë.

Më herët gjatë ditës së sotme, Izraeli goditi disa objektiva në Damask, përfshirë ndërtesën e Ministrisë së Mbrojtjes, ku e humbën jetën tre persona, ndërsa 34 u plagosën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë siriane.

Druzët dhe beduinët kanë rënë dakord më parë për tre armëpushime, por çdo herë i kanë thyer ato shpejt dhe kanë rinisur luftimet në qytetin e Svejda, ku shumica e popullsisë janë druzë. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR