Rubio dhe Lavrov do të takohen javën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së në Nju-Jork
- Shefat e diplomacive të SHBA-së dhe Rusisë, Marko Rubio dhe Sergej Lavrov, do të takohen dhe do të bisedojnë javën e ardhshme në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së në Nju Jork, njoftoi sot ambasadori rus në Kombet e Bashkuara.
- Post By Sara Ademi
- 17:12, 19 shtator, 2025
Nju Jork, 19 shtator 2025 (MIA) – Shefat e diplomacive të SHBA-së dhe Rusisë, Marko Rubio dhe Sergej Lavrov, do të takohen dhe do të bisedojnë javën e ardhshme në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së në Nju Jork, njoftoi sot ambasadori rus në Kombet e Bashkuara.
"Është e qartë se ata do të diskutojnë një gamë të gjerë çështjesh, si dypalëshe ashtu edhe shumëpalëshe", tha Vasilij Nebenzja, siç raportohet nga mediat ruse.
Ambasadori shtoi se "nuk ka një axhendë specifike për momentin, por takimi është planifikuar".
Takimi midis dy zyrtarëve të lartë do të zhvillohet pasi presidenti i SHBA-së Donald Tramp, në një konferencë për shtyp dje, pas përfundimit të vizitës së tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, shprehu "zhgënjim" me homologun e tij rus Vladimir Putin për dështimin e zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë, ku Rusia ka zhvilluar një luftë që nga viti 2022.
Trampi, i cili në mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë arriti t’i afrohej shumë Vladimir Putinit, tha gjithashtu se ishte gati të vendoste sanksione të reja kundër Rusisë, por me kusht që evropianët të ndalonin blerjen e naftës ruse, shitja e së cilës është një nga burimet kryesore të financimit të makinerisë ushtarake ruse kundër Ukrainës.
Presidenti amerikan priti Vladimir Putinin në Alaska një muaj më parë, takimi i parë i tillë që nga fillimi i ofensivës ruse në Ukrainë, por takimi i tyre nuk rezultoi me ndonjë përparim. sa/
foto: EPA