Ronaldo lihet jashtë përbërjes së Mançester Junajtedit për derbin kundër Çellsit

Mançester, 20 tetor 2022 (MIA) – Kristiano Ronaldo nuk do të jetë në përbërjen e Mançester Junajtedit për derbin e së shtunës në Premier ligë kundër Çellsit, njoftoi sonte zyrtarisht klubi, duke shtuar se të gjithë lojtarët e tjerë janë të gatshëm dhe të fokusuar në ndeshjen e ardhshme.
Portugezi u kritikua shumë pasi la ndeshjen e djeshme kundër Totenhemit para përfundimit të saj. Ronaldo do të mungojë në ndeshjen e radhës dhe nuk do të stërvitet me ekipin e parë as në tri ditët e ardhshme.
Mediat britanike raportuan sot se edhe Ronaldo në ndeshjen ndaj Totenhemit nuk pranoi të hynte në lojë nga pankina e rezervës dhe u largua nga stadiumi “Old Traford” në minutën e 89-të.
Kjo nuk është hera e parë këtë sezon që Ronaldo largohet nga loja e skuadrës së tij para se gjyqtari të sinjalizojë fundin. Ai bëri të njëjtën gjë në pjesën e parë në miqësoren kundër Rajo Vallekanos pasi u zëvendësua. ls/