• e martë, 11 mars 2025

Rokas: Reformat në financat publike janë kyçe për çdo vend që përgatitet për në BE

Rokas: Reformat në financat publike janë kyçe për çdo vend që përgatitet për në BE

Shkup, 11 mars 2025 (MIA) - Reformat në financat publike janë një hap kyç për çdo vend që përgatitet për anëtarësim në BE, porositi sot ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas para anëtarëve të komisioneve parlamentare për çështje ekonomike dhe financim dhe buxhet.

Në prezantimin mbi qeverisjen fiskale në BE dhe rolin e Këshillit fiskal, Rokas vuri në dukje se politikëbërësit duhet t'i konsiderojnë Këshillat fiskal si një objektiv kyç në procesin e miratimit të politikave publike. Këshillat fiskalë, tha ai, inkurajojnë debate publike për çështjet fiskale dhe transparencën që u mundëson qytetarëve dhe bizneseve, si dhe investitorëve, të kuptojnë më mirë situatën fiskale dhe financiare në vendet e tyre. Në këtë kontekst, ai përshëndeti ngritjen e Këshillit fiskal në vend, si dhe përpjekjen për forcimin e kapaciteteve dhe mandatit të tij.

Rokas kujtoi se në BE, qëllimi i këshillave fiskale është të kryejnë mbikëqyrje të pavarur dhe të monitorojnë aderimin drejt rregullave fiskale, që siç thekson ai, "shmangien e vlerësimeve tepër optimiste të qeverisë ose planeve të paqëndrueshme të shpenzimeve publike që mund të çojnë në disbalancë fiskale".

"Nga viti 2018 ne kemi mbështetur reformat e financave publike me projekte rreth 13 milionë euro. Krijimi i Këshillit fiskal në vitin 2023 ishte një moment historik i rëndësishëm në përafrimin me kornizën e qeverisjes ekonomike. Politikëbërësit duhet t'i konsiderojnë Këshillat fiskal si një objektiv kyç në procesin e miratimit të politikave publike dhe për këtë arsye, forcimi i Këshillave fiskale në të gjithë BE-në konsiderohet kyç për stabilitetin fiskal, ka thënë euroambasadori. 

Sipas tij, Këshillat fiskal në shumë vende përballen me sfida dhe efektiviteti i tyre varet nga pavarësia e tyre.

Prezantimi “Qeverisja fiskale në BE dhe roli i Këshillit fiskal” filloi me fjalët hyrëse të kryetarëve të Komisionit për financim dhe buxhet dhe Komisionit për Çështje ekonomike, Sanja Llukarevska dhe Bojan Stojanovski.

Llukarevska thekson se vetëm duke respektuar rregullat fiskale dhe zbatimin e tyre do të kemi ekonomi stabile. Këshilli fiskal, shtoi ajo, duhet të forcojë rolin e saj dhe të vazhdojë angazhimin për transparencën e politikave qeveritare.

"Karakteristikat kryesore për efektivitetin e tij janë pavarësia politike, qasja në informacion dhe mundësia për debat publik mbi politikat dhe rregulloret ekonomike", tha Llukarevska e cila iu referuar planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se vendi edhe pse përballet me shumë sfida, duhet të zbatojë agjendën e reformave në administratën publike, digjitalizim, energjinë e gjelbër, kapitalin njerëzor dhe sundimin e ligjit. Sipas Llukarevskës, vendi nuk duhet të improvizojë me mjetet nga Plani i rritjes.

Kryetari i Komisionit për çështje ekonomike, Bojan Stojanovski theksoi se Këshilli fiskal është një organ shembullor me anëtarë që janë ekspertë të fushës. Dera e Kuvendit, theksoi ai, është gjithmonë e hapur për bashkëpunim.

Në prezantim foli edhe drejtori i Zyrës së Bankës botërore në vend Masimiliano Paolluçi. 

Pas prezantimit në Kuvend, Këshilli fiskal në bashkëpunim me Bankën botërore organizon edhe një konferencë për qeverisjen fiskale në BE dhe rolin e Këshillit fiskal. Konferenca financohet nga Fondi i mirëbesimit të Bashkimit Evropian për Forcimin e qeverisjes fiskale në Ballkanin Perëndimor. qa/

Foto: printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR