• e premte, 05 dhjetor 2025

Rokas: Kur gratë udhëheqin, paqja zgjat

Rokas: Kur gratë udhëheqin, paqja zgjat

Shkup, 31 tetor 2025 (MIA) - Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave janë parakusht për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, tha sot ambasadori i BE-së Mihalis Rokas në ngjarjen me rastin e 25-vjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 të OKB-së - Gratë, paqja dhe siguria. Ai theksoi se Bashkimi Evropian është partner i vendit, por edhe i të gjithë të tjerëve në Ballkanin Perëndimor në proceset e forcimit të qeverisjes që i përgjigjet çështjeve gjinore dhe theksoi se kur gratë udhëheqin, paqja zgjat.

Ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, theksoi se vlerat për të cilat diskutohet sot janë thelbi i politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian dhe shtoi se 25 vjet më parë, Rezoluta 1325 e OKB-së i dha zë të vërtetës së thjeshtë - lidershipi i grave është kyç për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Rokas theksoi se ky përvjetor është një mundësi për të nderuar arritjet e deritanishme, por edhe për të treguar mënyra për t’i lëvizur gjërat në drejtimin e dëshiruar.

Ambasadori i BE-së shtoi se në vitet e fundit vetëm një proces negociatash ka përfshirë gratë në tryezën e negociatave, katër herë më shumë gra dhe vajza janë vrarë në konflikte, krahasuar me tre vitet e mëparshme, dhe në të njëjtën kohë shpenzimet ushtarake globale janë rritur për 9,4 për qind, ndërsa financimi për barazinë gjinore ka mbetur vetëm një pjesë e vogël.

Prandaj, shtoi ai, ajo për të cilën angazhohet Rezoluta duhet të shkojë përtej përfshirjes, është e nevojshme të kërkohet një transformim i vërtetë i institucioneve, strukturave të pushtetit dhe mënyrave se si ndërtohet paqja, me pjesëmarrjen e plotë të grave në proceset e paqes, forcimin e mekanizmave për t'u përballë me ata që janë përgjegjës për dhunën ndaj grave, forcimin e mbrojtjes së atyre që ndërtojnë paqen dhe aktivistëve që luftojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, integrimin e parimeve të kësaj agjende në ligje dhe buxhete, dhe promovimin e fuqizimit ekonomik të grave.

Rokas theksoi se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm drejt harmonizimit me Rezolutën, si dhe me parime të tjera ndërkombëtare, përmes miratimit të Planit të parë Kombëtar të Veprimit në vitin 2013, Planit të dytë Kombëtar të Veprimit 2020-2025, me të cilin u thelluan aktivitetet, dhe këtu përmendi gjithashtu aktivitetet e Ministrisë së Mbrojtjes në atë drejtim.

Udhëheqësja e Zyrës së UN Women, Vesna Ivanoviq-Kastared theksoi se kur rezoluta u miratua për herë të parë, u pranua se gratë preken në mënyrë disproporcionale si viktima të konflikteve. Rezoluta, siç theksoi, u bën thirrje të gjithë aktorëve shoqërorë të rrisin pjesëmarrjen e grave në proceset e paqes dhe negociatave.

Me rastin e përvjetorit u promovua edhe një pullë postare, në të cilën shihet një grua që qëndron drejt dhe lëshon një pëllumb të bardhë që fluturon lirshëm në qiell. Nuancat shumëngjyrëshe kaltër-të verdha përfaqësojnë butësinë, por edhe forcën e qëndrueshme të grave që udhëheqin, mbrojnë dhe ndërtojnë komunitete edhe në kohë pasigurie. ls/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR