• e mërkurë, 12 mars 2025

Rokas: Gurthemeli në pikën kufitare "Markova Noga" përfaqëson epokë të re

Rokas: Gurthemeli në pikën kufitare

Resnjë, 11 mars 2025 (MIA) – Gurthemeli në pikën kufitare “Markova Noga” të cilin do ta vendosim nesër me krerë qeveritarë dhe kryetarin e Resnjës shënon epokë të re, deklaroi ambasadori i BE-së në vend, Mihail Rokas sot pasdite gjatë vizitës në vetëqeverisjen lokale në Resnjë.

Në deklaratë për mediat, ambasadori Rokas theksoi se rajoni i Prespës është me rëndësi jetike dhe jo vetëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe për gjithë Evropën. 

 “Ngjarja kryesore do të ndodhë nesër kur së bashku me kryetarin e komunës dhe krerët e qeverisë do të vendosim gurthemelin e pikës kufitare ‘Markova Noga’ dhe ai akt shënon një epokë të re. Ky rajon është i një rëndësie jetike jo vetëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe për të gjithë Evropën, prandaj ne duhet të bëjmë gjithçka së bashku për të ruajtur rajonin e Prespës. Të gjitha projektet që kemi filluar me Komunën e Resnjës janë në proces zbatimi dhe në këtë kuptim shpreh lavdërime publike për kryetarin e komunës, Këshillin komunal dhe të gjithë paraardhësit për bashkëpunimin e ngushtë dhe të shkëlqyer të pushtetit komunal me Bashkimin Evropian për zbatimin e të gjitha projekteve që do të ndihmojnë në ruajtjen e rajonit të Prespës dhe kanë për qëllim promovimin e eko-turizmit, bujqësisë, të bëhet shkëmbim intensiv kulturor, gjegjësisht të bëhet nga njerëzit për njerëzit në këtë rajon që është më e rëndësishme se kurrë”, theksoi ambasadori Rokas.

Përveç se me kryetarin Jovan Tozievski, ambasadori Rokas ka realizuar takim edhe me këshilltarët komunalë, të cilët siç tha ambasadori Rokas kanë prezantuar më shumë nisma për zhvillim të Prespës.

 “Anëtarët e këshillit komunal ngritën çështjen e vizionit të Bashkimit Evropian për rajonin e Prespës dhe besoj se vizioni i popullatës lokale është i rëndësishëm për Bashkimin Evropian. Për qytetarët që jetojnë në këtë rajon dhe për ne si Bashkimi Evropian, është e rëndësishme që kërkesat dhe vizioni i qytetarëve të përkthehen në veprime dhe aktivitete, ndërsa me gurthemelin në fakt sigurohet fillimi i asaj që do të vijojë më tutje”, theksoi ambasadori Rokas.

Në konferencën e pasdites për media në Komunën Resnjë, kryetari Jovan Tozievski përkujtoi se vetëqeverisja lokale realizoi një nga projektet më të mëdha evropiane – “BE-ja për Prespën”.

 “Kemi një nga projektet më të mëdha evropiane në zhvillim dhe në zbatim, që është ‘BE për Prespën’ që ka një buxhet prej 20 milionë eurosh dhe do të ndërtojmë shtatë sisteme të ujërave të zeza me stacione filtrimi . Kemi thirrje edhe për projekte në kulturë, bujqësi, mjedis jetësor, turizëm e të tjera, të cilat shpresoj të realizohen me sukses deri në fund të vitit. Ne patëm një takim pune të shkëlqyer me ambasadorin Rokas dhe ishte një hyrje e mrekullueshme për të nesërmen, një moment historik për ne pasi do të vendosim gurthemelin e pikës së famshme kufitare ‘Markova Noga’, e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme për këtë rajon. Me këtë akt presim përfitimin më të madh ekonomik dhe turistik nga hapja e pikës kufitare”, theksoi kryetari Tozievski. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR