• e enjte, 04 dhjetor 2025

Rjabkov: Rusia dhe SHBA së shpejti do të dakordohen për raund të ri të negociatave

Rjabkov: Rusia dhe SHBA së shpejti do të dakordohen për raund të ri të negociatave

Moskë, 10 korrik 2025 (MIA) - Rusia dhe SHBA së shpejti do të dakordohen për datat e raundit të tretë të konsultimeve për "çështje irrituese" në marrëdhëniet dypalëshe, njoftoi sot zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Rjabkov.

"Mendoj se së shpejti do të vendosim për datat e raundit të tretë të konsultimeve, ku do të shqyrtohen këto çështje dypalëshe, ose çështje irrituese, siç janë quajtur prej kohësh", tha Rjabkov në konferencën për media.

Sipas tij, "nuk ka ngadalësim në progresin me SHBA-në në negociatat dypalëshe, por ekziston pauzë teknike".

Ai vlerësoi se administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, është shumë kontradiktore në procedurat dhe deklaratat e tij, por që Rusia ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Uashingtonin.

"Administrata e Trampit është shumë kontradiktore në veprimet dhe deklaratat e saj, gjë që nuk e bën punën më të lehtë. Megjithatë, ne po ndjekim me këmbëngulje dhe vazhdimisht kursin drejt normalizimit të marrëdhënieve tona", tha ai, raporton RIA Novosti.

Rjabkov deklaroi se Moska do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Uashingtonin për çështjen e kthimit të pronës diplomatike ruse.

Sipas tij, kërcënimet amerikane për sanksione të reja kundër Rusisë "janë bërë të zakonshme".

Ai shtoi se Rusia kishte ngritur çështjen e rifillimit të trafikut ajror me Uashingtonin, por se përgjigjja kishte qenë "minimale".

Bisedimet u zhvilluan në Stamboll më 27 shkurt dhe 10 prill për të normalizuar kushtet e punës së ambasadave ruse dhe amerikane dhe mënyrat për të kapërcyer çështjet e diskutueshme në marrëdhëniet midis dy vendeve. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR