Risteski: Ligji për praktika të padrejta tregtare fillon pas Vitit të Ri, dënimet janë rreth 20.000 euro
- Ligji për praktikat e padrejta tregtare fillon zyrtarisht më 1 janar të vitit 2025 dhe ky ligj duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet prodhuesve, furnitorëve dhe tregtarëve. Deri më tani, gjatë periudhës së monitorimit janë konstatuar 26 praktika të padrejta tregtare dhe në këtë ligj janë futur 2.546 produkte bujqësore të bartura sipas tarifës, tha sot zëvendësministri i Ekonomisë Marjan Risteski në Shtip.
- Post By Sara Ademi
- 14:57, 25 dhjetor, 2024
Shtip, 25 dhjetor 2024 (MIA) - Ligji për praktikat e padrejta tregtare fillon zyrtarisht më 1 janar të vitit 2025 dhe ky ligj duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet prodhuesve, furnitorëve dhe tregtarëve. Deri më tani, gjatë periudhës së monitorimit janë konstatuar 26 praktika të padrejta tregtare dhe në këtë ligj janë futur 2.546 produkte bujqësore të bartura sipas tarifës, tha sot zëvendësministri i Ekonomisë Marjan Risteski në Shtip.
Ai theksoi se në afat të gjatë me këtë ligj do të kemi rregullim më të madh të çmimeve të produkteve si efekt përfundimtar, pra në interes të konsumatorëve, blerësve dhe qytetarëve, mbrojtje të standardit jetësor.
"Nga ana tjetër, kaosi që ekzistonte më parë dhe sforcimi i produkteve të huaja në raport me produktet vendase, këtu do të kemi një barazim në raport me tregjet. KMK këto ditë është kompletuar me pesë anëtarë të rinj, të cilët u votuan në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Ata do të jenë kontrolli kryesor i të gjitha këtyre kontratave. Kontratat mbaruan deri më 28 shtator, kemi dhënë një periudhë monitorimi deri më 1 janar, ku dërgojmë të gjitha zhvillimet që po ndodhin, kemi raporte të ndryshme dhe probleme të caktuara për kthimin e mallrave në tregje, ndonjëherë shfaqen edhe çmime të dyfishta ne kemi si informacion", thotë Risteski.
Ai ka theksuar se pas Vitit të Ri masat ndëshkuese janë të mëdha dhe tregtarët dhe të gjithë ata që i lidhin këto kontrata duhet të kenë kujdes.
"Gjobat janë diku rreth 20.000 euro, që nuk është pak, le të themi, për praktika të padrejta tregtare", tha Risteski.
I pyetur për rritjen e çmimeve të produkteve në supermarkete dhe shportën e re konsumatore, Risteski theksoi se tregtarët, prodhuesit, supermarketet, komuniteti i biznesit premtuan para gjithë opinionit se do ta mbështesin aksionin, që do të dalë prej tyre, i cili do të rezultonte me reduktim të paktën 10% të produkteve ushqimore bazë në shportën e Vitit të Ri. Zëvendësministri i Ekonomisë, Risteski theksoi se monitorimi më i madh për këtë masë janë qytetarët, të cilët nëse vërejnë parregullsi mund të telefonojnë dhe të reagojnë.
"Tregtarëve, por edhe prodhuesve do t'u thosha, shporta ka 1.100 produkte, por kanë kohë dhe afat deri në fund të javës, nëse ka parregullsi, t'i korrigjojnë, të ulin çmimin e produkteve ushqimore mbi të gjitha për qytetarët. Ne besojmë se janë ende kompani me përgjegjësi shoqërore, të cilat ia premtuan këtë popullit, veçanërisht në produkte të caktuara, si vaji i gatimit, sheqeri, produktet e qumështit, si djathi, kaçkavalli, prodhimet e mishit, si mishi i viçit dhe derrit, vezët për ta bëjnë këtë dhe kanë kohë deri në fund të javës", tha Risteski.
Ai shtoi se nëse nuk e bëjnë këtë në atë rast Qeveria në periudhë e ardhshme do të marrë masa ende më drastike, ndërsa qëllimi kryesor është mbrojtja e standardit të qytetarëve. sa/
Foto: MIA