• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ripërtëritja e pyjeve dhe pyllëzimi me rëndësi të madhe për përballjen me sfidat nga ndryshimet klimatike

Ripërtëritja e pyjeve dhe pyllëzimi me rëndësi të madhe për përballjen me sfidat nga ndryshimet klimatike

Shkup, 6 tetor 2023 (MIA) - Pyjet nuk janë vetëm drurë, pyjet janë për njerëzit. Përveç si degë ekonomike, ripërtëritja e pyjeve dhe pyllëzimi janë me rëndësi thelbësore edhe për përballjen me sfidat nga ndryshimet klimatike. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut sipas të dhënave të fundit statistikore në vitin 2021 nën pyje ka sipërfaqe prej 1.049.000 hektarë, ndërsa  63,4 për qind prej tyre janë me pyje me kërcell të ulët dhe pyje të degraduara, të cilave u duhet ripërtëritje.

Kjo ishte theksuar në konferencën e parë ministrore të pylltarisë "Praktikat dhe përvojat më të mira në ripërtëritjen e pyjeve", që filloi sot në Shkup, nikoqir i të cilës është ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski, ndërsa në të cilën marrin pjesë ministrat e Bujqësisë, Pylltarisë të Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe Bullgarisë, ekspertë të shumtë edhe profesorë në sferën e pylltarisë nga vendi dhe rajoni. 

Në hapje të forumit, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, theksoi se pyjet janë pasuria jonë kombëtare, por edhe pasuri rajonale për ne dhe për brezat e ardhshëm. Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nënkupton harmonizimin e politikave, strategjive dhe legjislacionit kombëtar me politikat, strategjitë dhe acquis të BE-së në lidhje me pyjet dhe pylltarinë. Pikërisht për këtë arsye dhe duke marrë parasysh rëndësinë e shumëfishtë të pyjeve, ato janë përfshirë edhe në disa dokumente strategjike kombëtare, si: Strategjia Kombëtare për Diversitetin Biologjik (2018), Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen e Natyrës (2017), Strategjia Afatgjatë e Klimës (2021). Ndër to është edhe Strategjia e re Kombëtare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (2021), e cila ofron mundësi për mbështetje financiare për masat që kanë të bëjnë me pylltarinë dhe pylltarinë në kuadër të zhvillimit rural.

"Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, në veçanti objektivi 15.2 i cili kërkon promovimin e menaxhimit të qëndrueshëm të të gjitha llojeve të pyjeve, për të ndalur shpyllëzimin, për të rivendosur pyjet e degraduara në gjendjen e tyre origjinale dhe për të rritur ndjeshëm ripërtëritjen e pyjeve të degraduara dhe ripyllëzimin në nivel global", nënvizoi Bytyqi.

Ministri Nikollovski në fjalimin e tij hyrës theksoi se qëllimi i kësaj konference, është pikërisht në atë drejtim, bashkërisht ta fuqizojmë rolin e sektorit pyjor, duke e përforcuar kontributin e tij në ekonominë kombëtare përmes monitorimit të përmirësuar dhe ripërtëritje planore të pyejeve, si dhe përforcim të zhvillimit rural. 

"Si ministri e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut, tranzicionin e gjelbër, ruajtjen dhe zhvillimin e pyjeve i kemi vendosur lartë në mesin e pesë prioriteteve kyçe. Me përkushtim punojmë në avancimin dhe mbrojtjen pyjeve të Maqedonisë së Veriut, pastaj zhvillimin e mjediseve rurale dhe mbrojtje të mjedisit jetësor", tha Nikollovski. 

Përmes programit për riprodhim më të zgjeruar të pyjeve, si ministri, theksoi ai, qartë vendosim udhëzime për pyllëzim planor, toka erozive dhe sanimi i sipërfaqeve pyjore të djegura.Përmes këtij programi vitin e kaluar ishin mbjellur mbi 400.000 bimë në shumë pjesë të shtetit, përderisa për këtë vit 2023, shtoi, është paraparë mbjellje e 1.200.000 fidaneve. 

Nabil Gangi, përgjegjës për Zyrën Rajonale në FAO, zëvendës përfaqësues rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore dhe shefe e Zyrës së FAO-s në vend, potencoi se fuqishëm janë të përkushtuar në mbështetjen drejt Qeverisë së RMV-së, si dhe palët e tjera të prekura dhe partnerë në shtet, për bashkëpunimin në ndërtimin e përbashkët të kapaciteteve kombëtare në sektorin pyjor.  

Prod.dr, Makedonska Stojanovska, prodekane në Fakultetin e Shkencave Pyjore, arkitekturë peisazhi dhe bashkëinxhinieri theksoi se tema për pyjet dhe pylltarisë dhe rëndësia e tyre asnjëherë nuk ishte vendosur në në nivel aq të lartë. Përkundër qasjes tradicionale, ajo e theksoi rëndësinë e qasjes moderne, holistike e cila i sheh të gjitha përfitimet të cilat i jep hapësira në të cilën rritet pylli. 

Pyjet, tha Stojanovska, nuk janë vetëm drurë, ato janë të nevojshme për njerëzit, sepse pylli është edhe klima, sepse kudo ku ka pyll ka mungesë të dioksid karbonit. Pyjet përfaqësojnë rezervuar për dioksid karbonin. 

Në kuadër të konferencës mbahet tryezë e rrumbullakët ministrore me pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Malit të Zi, Vladimir Jokoviç, Anila Denaj, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Faton Peci, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës dhe Miroslav Marinov, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Ushqimit i Bullgarisë. Tema është ripërtëritja e pyjeve dhe pyllëzimi si strategji për të përballuar sfidat e ndryshimeve klimatike në rajonin tonë.

Konferenca është organizuar nga MBPEU me mbështetje të Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi pranë Kombeve të Bashkuara (FAO) dhe në bashkëpunim me Fakultetin për Shkenca Pyjore, arkitekturë peisazhi dhe ekoinxhinieri "Hans Em". fc/

Fotografia: MIA/MBPEU

 

QËNDRONI TË LIDHUR