• e hënë, 23 dhjetor 2024

Rikthimi i besimit në institucionet, eliminimi i korrupsionit, sundimi i ligjit, progresi ekonomik - prioritetet e qeverisë së re

Rikthimi i besimit në institucionet, eliminimi i korrupsionit, sundimi i ligjit, progresi ekonomik - prioritetet e qeverisë së re

Shkup, 23 qershor 2024 (MIA) - Sot duhet të vazhdojë seanca e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë së re, e propozuar nga mandatari dhe lider i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, ndërsa votimi do të vijojë pas përfundimit të debatit, më së voni në mesnatë. Qeveria do të zgjidhet nëse pro votojnë shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve. Shumica parlamentare që pritet të mbështesë qeverinë e re në Shtëpinë Ligjvënëse përbëhet nga 78 deputetë, 58 nga koalicioni VMRO-DPMNE, 14 nga Vlen dhe gjashtë nga ZNAM.

Programi i punës së Qeverisë 2024-2028, i dorëzuar në Kuvend nga mandatari Hristijan Mickoski, është paraqitur në gjashtë shtylla në mbi 60 faqe. Qëllimi kryesor, siç u tha, është rikthimi i besimit në institucionet e qeverisjes shtetërore, eliminimi i korrupsionit dhe garantimi i shtetit ligjor, si dhe rimëkëmbja ekonomike me synimin për të krijuar vende pune produktive dhe të paguara mirë.

Shtylla e parë - standardi cilësor i jetesës dhe një cikël i ri i rritjes ekonomike, thekson financat publike të qëndrueshme, mbështetjen për një sektor privat konkurrues, mbështetjen për inovacionet dhe sektorin e TIK, paralajmëron punë produktive dhe me pagesë të lartë, si dhe një plan kombëtar për demografinë. Ai nënkupton bujqësinë e zhvilluar dhe infrastrukturën e zhvilluar dhe funksionale dhe sektorin energjetik në shërbim të shtetit.

"Qëllimi ynë është të krijojmë vende pune produktive dhe të paguara mirë, të ulim papunësinë dhe të nxisim një mjedis ku bizneset mund të lulëzojnë. Përmes investimeve strategjike në infrastrukturë dhe energji do të përmirësojmë cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve dhe do të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm", thuhet në Programin e Qeverisë.

Qëllimi i Qeverisë është që deri në vitin 2028 të ulë normën e papunësisë në 7.5% dhe në katër vitet e ardhshme të hapë 55 mijë vende të reja pune, të ruajë taksën e sheshtë dhe tatimin mbi të ardhurat personale prej 10 për qind.

Nëse nuk ndodhin përçarje të paparashikuara politike dhe ekonomike në nivel global dhe rajonal, në Program vlerësohet se ekzistojnë kushte duke filluar nga viti 2025, që rritja e PBB-së të shkojë nga 3 deri në 5 për qind. Është planifikuar një ulje graduale e deficitit buxhetor në një nivel nën 3% të PBB-së dhe pritet që në periudhën 2025-2028 norma mesatare e inflacionit të jetë ndërmjet 2% dhe 2.5% në vit.

"Qeveria do të respektojë pavarësinë e Bankës Popullore, me shpresën që me masa dhe aktivitete në kohë të ruajë inflacionin e ulët, stabilitetin e kursit të këmbimit dhe të kujdeset për sektorin financiar efikas", thuhet në program.

Programi shpall rinovimin e brendimit të Maqedonisë si destinacion i favorshëm për investime dhe promovim botëror, si dhe themelimin e një Agjencie të vetme për Investime të Huaja dhe Eksporte, përmes bashkimit dhe racionalizimit të agjencive ekzistuese dhe ofrimin e shërbimit one-stop-shop për investitorët.

Qeveria gjithashtu merr përsipër të vendosë në plan të parë zhvillimin demografik dhe parashikon rritje të masave dhe mbështetjes për prindërit, si dhe një program sistematik dhe gjithëpërfshirës për mbështetjen e personave që do të kthehen nga vendet e huaja. Gjithashtu është planifikuar hapja e një instituti shkencor për kërkime demografike, migracion dhe politika të popullsisë.

"Parashikojmë një program për grante dhe kredi të favorshme për 150 mijë familje për një mandat për vendosjen e fasadave të reja energjetike, dritareve dhe dyerve, si dhe subvencione për qytetarët deri në 50% për blerjen dhe instalimin e kolektorëve diellorë, pompave të ngrohjes dhe centraleve elektrike fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike për nevoja vetanake. Familjet do të kenë mundësi ta shesin tepricën e energjisë elektrike të prodhuar, në kushte më të mira, duke ndryshuar rregulloren ekzistuese", është parashikuar në programin e Qeverisë.

Në drejtim të arritjes së qëndrueshmërisë dhe pavarësisë energjetike, programi qeveritar parasheh modernizimin dhe vazhdimin e jetëgjatësisë së TEC "Oslomej", gazifikimin e TEC "Negotinë", tranzicionin energjetik të REK Manastir dhe financimin e Kompleksit Xehetaro-energjetik në Maqedoninë Lindore, si dhe funksionimin aktiv të diversifikimit të burimeve për prodhimin e energjisë elektrike.

Në program, qeveria angazhohet edhe për përfundimin e ndërtimit të autostradave Kërçovë-Ohër, Shkup-Bllacë dhe Kërçovë-Bukojçan, si dhe vazhdimin e pjesëve të dakorduara të korridoreve 8 dhe 10D.

Shtylla e dytë - fronti kundër korrupsionit, parasheh reformën e sistemit gjyqësor dhe luftën sistematike kundër korrupsionit.

"Ligjet do të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare, gjinore dhe të tjera. Qeveria do të ofrojë zgjidhje të reja sistematike për shndërrimin e organeve të drejtësisë në subjekte vërtet të pavarura, transparente, të përgjegjshme dhe efikase, që janë themeli i një shoqërie normale demokratike. Do të përkushtohet në lirimin e gjyqësorit nga kufizimet e pushtetit ekzekutiv dhe zbatimit të politikave për zbardhjen e konfliktit të interesave në gjyqësor, nepotizmin aktual, partishmërinë dhe miqësinë", thuhet në programin e Qeverisë.

Ai parashikon shpërbërjen dhe reformën ligjore të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë. Në një periudhë tranzitore, Qeveria do të iniciojë ndryshime ligjore që do të vendosin kritere strikte dhe objektivisht të matshme që duhet të plotësojnë anëtarët e rinj, të zgjedhur me propozimin e Kuvendit dhe Presidentit të Shtetit, përmes një procedure transparente dhe publike që do të garantojnë integritetin dhe cilësinë e kandidatëve të përzgjedhur. Qeveria do të inicojë procesin e ndryshimit të Kushtetutës në pjesën e rregullimit të përbërjes së Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Qeveria do të iniciojë gjithashtu miratimin e një Kodi Penal krejtësisht të ri duke ndjekur shembullin e disa sistemeve të drejtësisë përkatëse, Ligjit për Prokuroritë Publike, Ligjit për Gjykatat, Ligjit për Këshillin Gjyqësor, Ligjit për Procedurën Penale, Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe ligje të tjera të nevojshme.

"Do të inicohet një procedurë për revizionin dhe shqyrtimin e ligjshmërisë së gjithë funksionimit të Prokurorisë Speciale Publike, ku vëmendje e veçantë do t'i kushtohet rrezikimit të të drejtave të njeriut të bëra në procedurë, shkeljes së ligjeve procedurale gjatë procedurës, zbardhjen e keqpërdorimeve të konstatuara të pagesës së mjeteve financiare për prokurorët, hetuesit dhe këshilltarët dhe kthimin e tyre në buxhet, si dhe shqyrtimin e nepotizmit, partishmërisë dhe miqësisë në punësimin në PSP", thuhet në programin e Qeverisë.

Shtylla e tretë – sundimi i ligjit në institucione, parasheh reforma në sistemin politik dhe administratën publike, shërbime publike të aksesueshme – Smart Maqedoni, si dhe qeverisje lokale të zhvilluara dhe zhvillim të balancuar rajonal.

"Qeveria do të promovojë një politikë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në procesin e reformës demokratike, duke mbrojtur parimin e "konsensusit kombëtar". Ne do të përpiqemi të arrijmë një konsensus politik sa më gjithëpërfshirës në drejtimin e politikës gjatë krijimit dhe zbatimit të projekteve dhe politikave me rëndësi dhe vlerë afatgjatë për shtetin", thuhet në programin e Qeverisë.

Shtylla e katërt – një sistem institucional funksional, thekson një sistem shëndetësor dhe arsim cilësor për të ardhmen, një mjedis të pastër, kujdes social dhe kujdes të përkushtuar për pensionistët.

"Arsimi dhe shëndetësia janë në qendër të agjendës sonë. Ne do të zbatojmë reforma për të përmirësuar cilësinë dhe disponueshmërinë e arsimit, duke përgatitur qytetarët për sfidat e botës moderne. Sistemi ynë shëndetësor do të forcohet për të ofruar kujdes të sigurt dhe cilësor për çdo qytetar. Ne do të fokusohemi në kohezionin social, mbështetjen e familjeve, promovimin e mundësive të barabarta dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë individëve", thuhet në programin e Qeverisë.

Për pensionistët do të sigurojmë 5000 denarë më shumë për pensionet në vitin e parë të mandatit.

Shtylla e pestë – prioritetet kombëtare, përvijon prioritetet në politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, kulturën si shtyllë e shtetit, si dhe turizmin e zhvilluar dhe sportin si krenari kombëtare.

"Përkushtimi ynë për integrimin evropian mbetet i fuqishëm. Ne do të punojmë me zell për harmonizimin e politikave tona me standardet evropiane, duke çuar përpara objektivin tonë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Kjo qasje do të sjellë stabilitet, rritje ekonomike dhe rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët", sipas programit të Qeverisë për periudhën 2024-2028.

Shtylla e gjashtë – të drejtat dhe liritë, i vendos gratë në qendër të shoqërisë së Maqedonisë dhe të rinjtë në fokus, media të lira dhe të pavarura, si dhe mbështetje për sektorin civil dhe transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë.

Programin e plotë për punën e Qeverisë 2024-2028, të dorëzuar në Kuvend nga mandatari Hristijan Mickoski, mund ta shikoni në linkun në vijim. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR