• e hënë, 23 dhjetor 2024

Rektori i UT-së, Jusuf Zejneli mori pjesë në Konferencën e tretë vjetore të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan

Rektori i UT-së, Jusuf Zejneli mori pjesë në Konferencën e tretë vjetore të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan

Tetovë, 14 qershor 2024 (MIA)- Dje Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli mori pjesë në hapjen e punimeve të Konferencës së Tretë Vjetore me temë: “Trendet dhe sfidat në zhvillimin e shoqërisë bashkëkohore” që u organizua nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan. Fillimisht punimet e Konferencës i shpalli të hapura Prorektorja për Shkencë e këtij Universiteti Prof. Dr. Arbona Xhemajli dhe më pas, fjalë përshëndetëse mbajtën Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Prof. Dr. Artan Dërmaku, Akademik Fejzullah Krasniqi dhe Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Në fjalën e tij Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se Universitetin e Tetovës historia e njeh si të kalitur për t’u bërë ballë sfidave dhe t’i tejkalojë ato, duke mos reshtur angazhimin dhe përpjekjet për ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave arsimore – shkencore e kombëtare, ngritjen e nivelit të bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë si nga vendi, rajoni dhe bota. “Sistemet e avancuara teknologjike, diversiteti kulturor dhe toleranca, barazia ekonomike, mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njerëzve, mjedisi jetësor dhe kujdesi i shtuar ndaj ndryshimeve klimatike si dhe shumë çështje të tjera janë disa nga sfidat më serioze me të cilat përballet shoqëria. Për të arritur këto qëllime të zhvillimit shoqëror, është e nevojshme që shoqëritë të përdorin politika dhe praktika të arsyeshme të bazuara në dije dhe të përpiqen për të zgjidhur sfidat dhe problemet që paraqiten në rrugën e tyre drejt përparimit.” – tha Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se Universiteti i Tetovës është i orientuar drejt vlerave evropiane dhe perëndimore dhe se gjithmonë është në funksion të afrimit me standardet që aplikohen në botën përparimtare.

QËNDRONI TË LIDHUR