• e hënë, 23 dhjetor 2024

Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri nis më 18 shtator, do të kushtojë 16,8 milionë euro

Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri nis më 18 shtator, do të kushtojë 16,8 milionë euro
Tiranë, 25 prill 2023 (MIA) - Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në Shqipëri do të nisë më 18 shtator dhe do të zgjasë gjashtë javë, njoftoi Instituti Shtetëror i Statistikave, INSTAT.
 
Për kostot e regjistrimit, INSTAT llogarit se do të shpenzohen 16,8 milionë euro, me ç'rast kostoja për banor është afër mesatares së vendeve europiane.
 
"Zbatimi i regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave mbështetet nga buxheti i shtetit dhe donatorë të ndryshëm. Kostoja totale e këtij procesi llogaritet në 16,9 milionë euro. Ai përfaqëson mesatarisht 5,7 euro për banor, që korrespondon me mesataren e vendeve evropiane që kryejnë një regjistrim tradicional. Mbi 50 për qind e kostove janë për personat e punësuar në terren", vlerëson INSTAT.
 
Për sa i përket suksesit të këtij procesi, Instituti thekson se “ka nevojë për ndërgjegjësimin e qytetarëve që duhet të jenë aktivë për të marrë pjesë në këtë operacion të rëndësishëm statistikor”, duke paralajmëruar një strategji komunikimi për rritjen e informimit.
 
"Suksesi i regjistrimit varet nga qasja pozitive dhe pjesëmarrja e popullsisë në të. Ndaj gjatë vitit 2023 vëmendje e veçantë do t'i kushtohet zbatimit dhe monitorimit të strategjisë së komunikimit, elementët bazë të së cilës janë komunikimi me palët e interesuara dhe publikun në përgjithësi. Fushata përfshin përdorimin e të gjitha instrumenteve mediatike, kanaleve të transmetimit dhe teknikave të tjera të komunikimit", nënvizon INSTAT.
 
Shton se fushata e komunikimit do të promovojë regjistrimin duke informuar publikun për qëllimin e tij, si dhe do të ndihmojë në forcimin e besueshmërisë së të dhënave dhe institucioneve përgjegjëse për rezultatet e tij.
 
Në regjistrimin do të angazhohen gjithsej 8.000 regjistrues, rreth 1.200 kontrollues dhe 6.000 geodetë. Deklarimi përkatësisë etnike dhe fetare dhe gjuhësore do të bëhet në baza vullnetare.
 
Regjistrimi i fundit në vend është kryer në vitin 2011. Ai i planifikuar për vitin 2021 u shty për shkak të pandemisë kovid-19, ndërsa vitin e kaluar për shkak se “nuk u siguruan mjetet e nevojshme për mbledhjen e informacionit në terren”. ls/
 
Foto: MIA arkiv
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR