• e hënë, 23 dhjetor 2024

Redaktorja për kulturë arsim dhe shkencë në Radio Shkup, Valbona Zunçe Pajaziti dekorohet me çmimin "Esad Mekuli" për kontributin në afirmimin e kulturës, historisë, gjuhës dhe çështjes kombëtare

Redaktorja për kulturë arsim dhe shkencë në Radio Shkup, Valbona Zunçe Pajaziti dekorohet me çmimin

Shkup, 30 prill 2023 (MIA) - Redaktorja e programit për kulturë arsim dhe shkencë në Radio Shkup programi në gjuhën shqipe, Valbona Zunçe Pajaziti, dje në "Kuvenin e Ulqinit" u dekorua me çmimin "Esad MEKULI", për kontributin e dhënë në gazetari, në afirmimin e drejtë të kulturës, historisë, gjuhës shqipe dhe çështjes kombëtare, veçanërisht në emisionet e saj në Programin në Gjuhën Shqipe në Radio Shkupi e masmedia të tjera panshqiptare.

"Kuveni i Ulqinit" që është Kuvend Panshqiptar - ndërballkanik - euroatlantik, u organizua nga "Gazeta e Alpeve", media rajonale panshqiptare - ndërballkanike Shqipëri - Kosovë - Mali i Zi - Lugina e Preshevës e Sanxhak - Maqedoni e Veriut.

Për MIA-n, Zunçe Pajaziti i shprehu kënaqësi dhe nder që është nderuar me çmimin "Esad Mekuli", themeluesit të revistës së parë shqiptare "Jeta e re".

"Këto çmime na porosisin që të jemi shpirtngritur duke i shërbyer me nder traditës, kombit dhe gjuhës. Sepse vet Esad Mekuli na ka lënë porosinë: Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë, e fëmijët e fëmijëve tanë dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë për ne - Breznitë veprat i gjykojnë. Ky gjykim, na le shumë porosi e ata që kanë gjak të pastër në dej, ecin me traditën, kulturën dhe historinë e tyre", u shpreh Zunçe-Pajazit.
 
Radio Shkupi e zhvilloi projektin e rëndësishëm "Gjuha jonë" dhe dy muaj emisione me emra të shquar për këto data të rëndësishme kombëtare. "Më 27 janar 2023, realizoi manifestimin "78 vjet - Radio Shkupi", ku kishte të ftuar përfaqësues nga jeta politike, kulturore, universitare, arsimore etj., në muajt shkurt - mars 2023, për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së ka realizuar gjashtë emisione kushtuar Kosovës dhe sakrificës së popullit shqiptar me profesorë dhe dëshmitarë të ngjarjeve makabre që pësoi populli shqiptar. Më 22 Mars, 2023 ka realizuar aktivitetin humanist "15 libra elektronikë për fëmijët me nevoja ndryshe", si dhe mjaft aktivitete të tjera, gjithmonë me karakter kombëtar", shtoi ajo.

Valbona Zunçe Pajaziti, është gazetare ndërsa aktualisht edhe redaktore përgjegjëse e programit për kulturë arsim dhe shkencë në Radio Shkup, programi në gjuhën shqipe. Veprimtaria e saj gazetareske është mjaft e pasur pasi kontributin e saj e ka dhënë edhe në media të tjera siç janë TV Koha, Tetovë,  ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare), Bota Sot /diasporë, në gazetën "Fakti" dhe të tjera.

Valbona Zunçe Pajaziti fillimisht karrierën e ka nisur si gazetare terreni në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut, në zonat e luftës (Tetovë dhe Kumanovë), 10 vite ka punuar si gazetare e redaksisë informative kryesisht politikë, dhe mbi 12 vite i është përkushtuar kulturës shqiptare. Ka qenë redaktore dhe autore e emisioneve “Mikrofoni hapur”, "Gjurmë nga jeta", "Drita jetës",  “Gjuha jonë” në Radio Shkup, programi në gjuhën shqipe.

Ka qenë organizatore dhe pjesëmarrëse e shumë aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe letrare. Gjithashtu ka qenë udhëheqëse (moderatore) e shumë aktiviteteve të ndryshme nga sfera politike, atdhetaredhe kulturore.

Zunçe - Pajaziti gjithashtu ka realizuar edhe Ekspozitën me dokumente “Trevat Lindore Shqiptare gjatë shekullit XX”, për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (2012), Ekspozitën me dokumente “Trevat Lindore Shqiptare gjatë shekullit XX” dhe orë letrare për 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (2017) (bashkautor Qerim Lita, historian), Ekspozitën “Dorëshkrime të vjetra nga Kur’ani famëlartë” (2018), Manifestimin letrar “Nëna e dashurisë së paqes” (2016) si dhe ka qenë ideatore e projektit të skulpturës “Libri” në Fakultetin e Shkencave Islame (FSHI) Shkup (2016), ideatore dhe realizatore e manifestimit letrar dhe kulturor “Skënderbeu – simbol i qëndresës së pamposhtur” (2018).

Ajo gjithashtu është edhe autore e disa librave si vijon: Autore e librit me përmbledhje intervistash “Drita e jetës...” (2018),  e librit “Si lexohet poezia” (2018), autore e librit “Ne bijtë e Atdheut” (2019), autore e librit "75 vjet Radio Shkupi" (2020).

Më 1 gush, 2022 emërohet kryeredaktore e servisit të tretë programor Radio Shkupi, programi në gjuhën shqipe. Ka marrë pjesë në shumë Kongrese ndërkombëtare ku ka dhënë kontributin me punime për "Ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kulturës në Radio Shkup ndër vite".

 

QËNDRONI TË LIDHUR