Realizohen transaksionet e para përmes SEPA-s, për guvernatorin kjo është një ditë historike për vendin
- Guvernatori i Bankës Popullore njoftoi sot pasdite se janë kryer transaksionet e para përmes sistemit SEPA.
- Post By Fami Bajrami
- 15:20, 7 tetor, 2025
Shkup, 7 tetor 2025 (MIA) - Guvernatori i Bankës Popullore njoftoi sot pasdite se janë kryer transaksionet e para përmes sistemit SEPA.
"Një ditë historike për vendin tonë! Sot janë kryer transaksionet e para përmes SEPA-s, sistemit që e afron Maqedoninë me zonën evropiane të pagesave. Deri në 6 herë më pak kosto për qytetarët. Deri në 8 herë më pak kosto për kompanitë", ka publikuar guvernatori Trajko Sllaveski në platformën X.
Na sot, vendi praktikisht ka filluar të zbatojë të njëjtat rregulla për pagesat ndërkufitare në euro si në vendet e Bashkimit Evropian. Duke iu bashkuar SEPA-s, pagesat ndërkufitare në euro bëhen më të lira dhe më të shpejta si për qytetarët ashtu edhe për kompanitë.
Aderimi në SEPA e përshëndeti sot edhe ministrja e Financave, e cila vlerësoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për punë dhe jetesë në Maqedoni, duke përshtatur standardet e vendit me ato evropiane.
"Nga anëtarësimi në SEPA priten përfitime të shumta për qytetarët, kompanitë dhe ekonominë në përgjithësi. Mbi të gjitha, priten pagesa ndërkufitare në euro më të shpejta, më të sigurta dhe më të lira. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ekonominë maqedonase, e cila karakterizohet nga shkalla e lartë e hapjes tregtare dhe vëllimi i madh i pagesave ndërkufitare. Rrjedhimisht edhe potenciali për kursime kostosh, përmirësim likuiditeti dhe rritje konkurrueshmërie të kompanive është i madh. Kjo mund të luajë rol të rëndësishëm në procesin e integrimit të mëtejshëm tregtar, përshpejtimit të rritjes ekonomike dhe zvogëlimit të hendekut të të ardhurave me BE-në", theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Kërkesa për aderim në SEPA është parashtruar më 10 korrik 2024, ndërsa aplikimi u pranua më 6 mars 2025 nga ana e Këshillit Evropian të pagesave për përfshirje në SEPA, me ç’rast bankave vendase u mundësohet edhe përfshirja në skemat e pagesave në euro.
Foto: arkivi i MIA-s