• e enjte, 19 dhjetor 2024

Reagime në Kosovë pas rënies prej 19 vende në Indeksin e Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufij

Reagime në Kosovë pas rënies prej 19 vende në Indeksin e Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufij

Prishtinë, 2 maj 2024 (MIA) – Në Indeksin e Lirisë së Mediave në botë në vitin 2024, të publikuar nga organizata Reporterë pa Kufij me rastin e Ditës botërore të Lirisë së Mediave, Kosova renditet e 75-ta, që është për 19 vende më keq se viti 2023, kur ishte në vendin e 56-të, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në reagimet e shumta që pasuan menjëherë pas publikimit të Indeksit të Reporterëve pa Kufij, pozicioni i mediave në Kosovë është vlerësuar si alarmant dhe si pasojë e presioneve ndaj gazetarëve nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në krye të së cilës është kryeministri Albin Kurti.

Duke e vlerësuar renditjen e Kosovës në Indeksin e këtij viti si një “regresion alarmues”, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) transmeton pjesë të raportit të Reporterëve pa Kufij.

“Edhe nëse media me sukses vazhdon t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori joefikas i medieve, Këshilli i pavarur i mediave (KPM), po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet për drejtor. Mediet në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, është një prej pjesëve të raportit që ka cituar AGK.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), duke shprehur shqetësimin për përkeqësimin e lirisë së mediave në vend, u bëri thirrje mediave dhe gazetarëve që të mos pengohen në punën e tyre.

“Sulmet politike ndaj mediave dhe gazetarëve, si dhe fushatat linçuese ndaj tyre janë kërcënim serioz për një gazetari të pavarur dhe profesionale, si dhe për integritetin dhe jetën e gazetarëve”, thuhet në reagimin e KMSHK-së, në të cilën theksohet se "përpjekjet e autoriteteve për të kontrolluar median dhe për të cenuar lirinë e fjalës janë të dëmshme dhe të papranueshme”.

Reagime të shumta pasuan edhe nga përfaqësuesit e opozitës kosovare, të cilët kryesisht akuzojnë qeverinë e Kurtit për mbytje të lirive të mediave.

Memli Krasniqi, lideri i partisë më të madhe parlamentare opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, kërkoi "Qeveria ta ndërpresë cënimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira të Kosovës".

Krasniqi tha se gazetarët dhe punonjësit mediatik "kanë ruajtur historikisht standarde të larta, integritet dhe guxim edhe në kohët më të errëta të vendit".

Prandaj, sipas tij, zhvillimet e fundit në Kosovë, edhe pse në liri, paraqesin “një pasqyrë shumë shqetësuese të situatës me liritë e mediave”.

“Kosova ra 19 vende këtë vit në Indeksin e Lirisë së Shtypit, në raportin e organizatës “Reporterët pa Kufij” – vlerësimi më negativ ndonjëherë! Presioni në rritje i Qeverisë ndaj mediave të pavarura dhe shënjestrimi i gazetarëve nga vendi ynë është një kërcënim në rritje për lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës”, tha Krasniqi.

Ish kryeministri, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror që të ruhet dhe të avancohet ky segment i lirisë.

“Sunduesve u pengon liria e shprehjes, liria e mediave!. Shqetësuese mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që ua bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare. Qëndrojmë krah mediave, në mbrojtje dhe respekt ndaj fjalës së lirë", ka shkruar Haradinaj në Fejsbuk.

Nënkryetarja dhe deputetja e Lidhjes demokratike të Kosovës, Hikmete Bajrami, ka thënë se rënia e Kosovës për 19 vende në indeksin e lirisë së mediave është alarm për secilin njeri që jeton në Kosovë.

Sipas Bajramit, tashmë s’ka asnjë dyshim se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (VV), është kundër mediave.

“Lufta e pushtetit ndaj medias është programore, e orkestruar për t’i dëmtuar raportimet dhe zbulimin e skandaleve korruptive të Qeverisë. Evidentimi i gjendje së mediave në Kosovë nga “Reporterëve pa Kufij” është konfirmim i asaj që kemi thënë prej ditës së parë të ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet. Tashmë s’ka askush asnjë dyshim se Vetëvendosje është kundër mediave, është kundër secilit që mendon ndryshe, është kundër bizneseve, është kundër qytetarit”, tha Bajrami. ls/ 

QËNDRONI TË LIDHUR