Raporti i Vajcit me "gjuhë dhe identitet maqedonas" i miratuar në Komitetin e Punëve të Jashtme të PE
- Komiteti i Punëve të Jashtme (AFET) i Parlamentit Evropian sot, me 40 vota "për", 19 "kundër" dhe 10 "abstenime", miratoi Propozim-Raportin për vendin të përpiluar nga eurodeputeti austriak Tomas Vajc.
- Post By Arta Bunjaku
- 19:50, 24 qershor, 2025
Bruksel, 24 qershor 2025 (MIA) - Komiteti i Punëve të Jashtme (AFET) i Parlamentit Evropian sot, me 40 vota "për", 19 "kundër" dhe 10 "abstenime", miratoi Propozim-Raportin për vendin të përpiluar nga eurodeputeti austriak Tomas Vajc.
Pas votimit, një eurodeputet bullgar njoftoi se përveç Raportit ata do të propozonin plotësim me "mendim të pakicës".
Grupi parlamentar i PPE parashtroi paraprakisht amendament me procedurë të shkurtuar për futjen e fjalës "moderne" përpara gjuhës dhe identitetit maqedonas në Raportin, por në përputhje me Rregulloren e punës, ai nuk u votua sepse të paktën gjashtë deputetë të AFET votuan kundër propozimit të tillë. Rregullorja e punës përcakton se një ndryshim i propozuar nuk do të hidhet në votim nëse të paktën pesë eurodeputetë votojnë kundër propozimit.
Përpara votimit për të miratuar Raportin, anëtarët e AFET refuzuan disa ndryshime në tekstin e dokumentit të propozuar nga deputetët bullgarë.
Siç raportoi korrespondenti i MIA-s në Bruksel, pas miratimit të dokumentit, Vajci, i cili është gjithashtu raportues i PE-së për vendin, tha se ishte krenar për të gjithë punën e madhe që ishte vënë në gjetjen e kompromiseve në mënyrë që "ky raport i balancuar mirë" të mund të miratohej nga një shumicë e gjerë politike.
- BE duhet të mbetet e bashkuar me fqinjët e saj në peizazhin sfidues gjeopolitik me të cilin përballemi. Maqedonia e Veriut i përket BE-së. Pas 20 vjet negociatash, ne duhet të ruajmë momentin e mirë aktual për të avancuar më tej procesin e zgjerimit, shtoi Vajci në deklaratë me shkrim pas votimit.
Në fillim të seancës, kryetari i AFET Dejvid Mekalister dënoi akuzat e bëra në javët e kaluara në kurriz të Vajcit për mënyrën e përgatitjes së Raportit, duke theksuar se është praktikë që raportuesi të jetë në kontakt me përfaqësuesit e vendit me të cilin ka të bëjë dokumenti që ai e përgatit.
Deputeti bullgar Stanisllav Stojanov nga partia nacionaliste Rilindja në fillim të muajit akuzoi Vajcin për "takime të paparalajmëruara" me autoritetet maqedonase gjatë përgatitjes së Raportit dhe për shkelje të rregullave të transparencës së Parlamentit Evropian, me çka, sipas tij, dokumenti i propozuar ishte i kompromentuar dhe joobjektiv.
Në Raport, AFET mirëpret përkushtimin e vendit për integrimin evropian, e inkurajon atë të vazhdojë përpjekjet e saj për reforma përkundër sfidave politike dhe frustrimeve të opinionit dhe u bën thirrje autoriteteve maqedonase të zbatojnë ndryshimet kushtetuese, të forcojnë sundimin e së drejtës dhe të forcojnë luftën kundër korrupsionit.
Raporti thekson se aderimi në BE është përfundimisht çështje e vullnetit politik, si në aspektin e zbatimit të reformave ashtu edhe në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Deputetët u bëjnë thirrje të gjitha partive politike në vend të angazhohen në një dialog konstruktiv për të arritur konsensusin e nevojshëm, i cili do të forconte karakterin multietnik të vendit dhe do të përshpejtonte përparimin në BE.
Në dokument, eurodeputetët mirëpresin Instrumentin e ri të BE-së për Reformën dhe Rritjen, nga të cilat 750 milionë euro janë parashikuar për vendin, me këtë rast duke shprehur lëvdata për agjendën ambicioze reformuese maqedonase. Ata bëjnë thirrje edhe për fokus të fortë në zbatimin e reformave, veçanërisht në administratën publike, sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.
Duke i vërejtur "tendencat e përkeqësimit në korrupsionin e nivelit të lartë dhe besimin e ulët të opinionit në gjyqësor", eurodeputetët bëjnë thirrje për pavarësi dhe llogaridhënie më të madhe të sistemit gjyqësor dhe burime adekuate për organet mbikëqyrëse.
Deputetët evropianë paralajmërojnë se polarizimi politik mbetet pengesë kryesore për reformën dhe bëjnë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak dhe një ndryshim gjithëpërfshirës të Kodit zgjedhor, në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Në dokumentin, gjithashtu, theksohet rëndësia e mbrojtjes së procesit zgjedhor nga ndikimi i dëmshëm i huaj dhe dezinformatat. Eurodeputetët shprehin shqetësim lidhur me ndërhyrjen e huaj, veçanërisht nga Rusia dhe Kina, dhe paralajmërojnë për rreziqet në rritje që lidhen me flukset dhe investimet jotransparente financiare.
Raporti gjithashtu bën thirrje për reforma të vazhdueshme për të siguruar një peizazh mediatik të pavarur dhe rezistues, në përputhje me Ligjin Evropian për lirinë e mediave, dhe për depolitizimin e administratës publike.
Tani pas miratimit nga AFET, mbetet Raporti të miratohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Seanca e ardhshme plenare e PE-së është caktuar për nga 7 deri më 10 korrik në Strasburg.
foto: arkivi i MIA-s